
Ndryshe nga ajo çfarë secili prej nesh mund të mendonte, mjekja e akuzuar se i çonte te klinikat private pacientët me kancer të Onkologjikut duke u thënë se nuk kishte radhë për trajtimin e tyre, sot dukej më e shqetësuar për fotot që gazetarët i kishin publikuar në artikujt e ndryshëm.
Teksa u paraqit në gjykatë për t’u njohur me masën “detyrim paraqitje”, Alketa Ymeri (Pere) pati guximin që t’u jepte këshilla etike gazetarëve dhe mohoi se kishte qenë ajo e cila çonte pacientët për trajtim te private, paçka se në dosjen e prokurorisë së Tiranës dhe në përgjimet e zbardhura provohet diçka krejt tjetër.
Në komunikimin që kishte me mediat, ajo u drejtua ashpër ndaj gazetarëve, ndërsa pavarësisht se u shkarkuar nga ministrja e Shëndetësisë, ajo tha se do të shkonte tek spitali Onkologjik.
"Kurrë në jetën time, nuk e kam bërë këtë gjë. Duhet të hetohen të gjitha spitalet private, duhet një ndryshim rrënjësor në Onkologji. E falenderoj prokurorin për hetimin që ka bërë. Unë do prononcohem mbrapa, sot kam ardhur të mbroj veten sepse jam e pafajshme.
(U drejtohet mediave) një minutë se ju gazetarët më keni mërzitur, më keni shtrembëruar fotot, më nxirrri me sytë ashtu. Edhe mi nxirrni të gjitha këto që them mos m’i shkurtoni fare. Më interesojnë edhe ato fotot me sytë kështu. Duhet të ruhet etika.
- E ruani ju etikën?
Po e ruaj deri në fund sepse kam njerëz me kancer në familje. Dhe e di çdo të thotë. Duhet të ndryshojë struktura e spitalit, duhet të ndryshojnë pajisjet. Jam shumë e lumtur me prokurorin që e ka quajtur “rrugëtimi”, duhet që çdo njeri ta dijë rrugëtimin e pacientëve me kancer deri në fund. Nuk e di për spitalet e tjera, por në spitalin tonë nuk ka shkelje. Mund të ketë nga ata që shkojnë në privat, por duhet të sqarohen mirë gjërat se kush i ka çuar në privat. Unë nuk jam shteti, përfaqësoj veten time. (U drejtohet gazetarëve) Një minutë, se e di unë që i dini të gjitha.
Do shkoni në onkologji?
Po do vazhdoj të shkoj në Onkologji, po kush je ti more, ti je askushi"- u shpreh Pere.
Pere shfaqej në përgjimet e prokurorisë, ku i kërkonte kordinatorit “Emiljano Lela i cili luante rolin e sekserit me dërgimin e pacientëve në farmaci dhe klinikat private, që të kishte kujdes pasi mund të paraqiteshin edhe gazetarë të emisioneve investigative dhe të hiqeshin si pacientë. Në dosje ajo mohon të ishte e punësuar në klinikën private “Megis” ku çonte pacientët e sëmurë me kancer, por firma e saj rezulton në një dokument të firmosur pas operacionit të një pacienti.
Në investigimin e bërë nga Versus.al, ku u shpreh ekskluzivisht edhe doktori Ardian Hoti, u evidentua fakti që pajisja e kobaltit për trajtimin e kancerit, kishte qenë çështje diskutimi edhe para se ta ngrinte si problem zoti Hoti, por asnjë masë nuk ishte ndërmarrë. Për shkak të mos marrjes së masave lidhur me vënien në punë të kësaj pajisje apo heqjen e saj nga vendi ku mbahej për shkak se ishte rrezik si pasojë e rrezatimit që lëshonte, vetë Hoti u largua nga spitali Onkologjik pas 24 viteve shërbim. Versus.al







