AKTUALITET /

VIDEO/ Ndërtoi HEC-e me paratë e drogës së djalit, SPAK i komunikon akuzat Breçanit dhe anëtarëve të grupit kriminal

Breçani u lirua nga qelia një javë më parë për shkak të kushteve shëndetësore dhe aktualisht po mbahet nën masën e sigurisë "arrest shtëpie".

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Ndërtoi HEC-e me paratë e drogës së djalit, SPAK i
Erzen Breçani teksa hyn në SPAK

SPAK ka mbyllur hetimet për Erzen Breçanit dhe personave të tjerë të arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin se vepronin si grup kriminal dhe ishin të përfshirë në një sërë krimesh.

Breçanit i është komunikuar akuza për veprat penale “pastrim parash” dhe “përkrahje e autorit të krimit”. Ish-drejtori i policisë së Tiranës akuzohet për përkrahje të djalit të tij Eralbi Breçani në trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Evropës si dhe investimin e parave të drogës në ndërtimin e HEC-it “Drita” në Tropojë, tashmë i sekuestruar nga SPAK.

Ish-numri dy i policisë së Tiranës u lirua nga qelia pak ditë më parë për shkak të kushteve të tij shëndetësore. Përfshirja e tij në grupin kriminal në kuadër të të cilit u zhvillua operacioni "Metamorfoza" u zbulua pas zbardhjes së përgjimeve në aplikacionin "Sky Ecc". 

Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit rezulton të jetë i martuar me motrën e Ervin Matës, i cili konsiderohet si kreu i bandës së trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës. Në dëshminë e tij të dhënë në gjyq, Erzen Breçani mohoi të kishte marrë para nga djali i tij dhe as nga Ervin Mata si dhe mohoi të kishte dijeni mbi aktivitetin kriminal të Eralbi Breçanit i cili ishte pjesë e grupit që trafkonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Për operacionin ku u vu në pranga Breçani, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste. Së bashku me arrestimin e Breçanit, u bë edhe arrestimi i Dedan Gjonit, ish-shefit të krimeve në komisariatin numër 6 për dhënien e informacioneve ndaj Ismail Zenelit i cili kishte qëllim vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela. Në pranga ra edhe Bujar Germizi si dhe Besmir Murati, një prej të përfshirëve në ngjarje kriminale të zbardhura nga përgjimet e “SkyEcc”. Ndërkohë detyrim paraqitje, u caktua për Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Në kërkim janë Ervin Mata, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës. Versus.al

 

Poll