
Erzen Breçani, ish-zv.drejtori i policisë së Tiranës u lirua sot nga qelia dhe u la në arrest shtëpie me vendim të Apelit të GJKKO. Breçani mbahej në qeli që prej nëntorit të vitit të kaluar ku u arrestua për përgjimet e zbardhura në dosjen ‘Metamorfoza’ duke lënë të dyshohet se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Arrestimi i tij u bë jashtë stadiumit teksa po hynte të shihte ndeshjen e kombëtares.
Mesazhet e Erzen Breçanit në “Sky Ecc”
Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, shfaqet në përgjimet e Sky Ecc ku flet për trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë apo vendeve të tjera të Europës. Breçanit i janë publikuar përgjimet e mesazheve të dërguara nga “Sky Ecc” ku shfaqet totalisht në dijeni të aktivitetit kriminal të të birit dhe i kërkon këtij të fundit që të ketë kujdes sepse të gjithë e kishin marrë vesh se ai merrej me trafikun e lëndëve narkotike.
"....kontrollova kutinë se mos kan fut noj cipe kur ta marrresh ti te kapin me te...Nuk duhet me pas bes kuj ne Shqipni...Mos ki bes kuj...Mos o shqiptar... Thuj atij dhokut tan... Thuj... Po du me te than se tan kta ne Shqiperi folin e thon djali Erzenit ka bjen mall ka punon me drog se e njof mir bashkimin e shqiptarve... Po du me than qe mos u merr me ta ma... Shqiperin mos e flliq mos e prish a si me te than asht ndryshe me punue jashtë e ndryshe ktu...Bush nga meraku e kam...E duhet me te tregu kto gjana...Ke ba i premtim se nje vit do e provoj u bën tre bush..."- është një prej mesazheve që Breçani i kishte dërguar djalit të tij.
Akuzat ndaj Breçanit:
Pastrim parash
Paratë e përfituara nga Eralbi Breçani nga aktiviteti i trafikut të drogës, dyshohet se ish-zv.kryepolici i Tiranës ia ka investuar në pasuri të ndryshme si HEC-i Drita të cilin GJKKO e ka sekuestruar. Sipas vendimit të marrë nga GJKKO më datë 17 nëntor, dyshohet se 350 mijë euro të cilat janë investuar për ndërtimin e këtij HEC-i e kanë origjinën nga trafiku i drogës.
Përkrahje e autorëve të krimit
Përveç dijenisë së tij mbi trafikun e drogës të të birit, Breçani akuzohet për përkrahjen e “të fortit të Kukësit”, Bujar Gërmizi që të shmangte arrestimin nga policia. Në një përgjim të realizuar në një stan në Kukës, dëgjohet teksa Breçani i thotë Gërmizit se po përgjohej. Ndërsa Gërmizi nga ana tjetër strehonte vrasësin me pageë “Nuredin Dumanin, i cili dyshohet se kishte njohje edhe me ish-zv.drejtorin e policisë hde nëpërmjet informatave të tij u shmangej forcave të policisë.
Lidhja e Erzen Breçanit me Ervin Matën, trafikantin e drogës të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit rezulton të jetë i martuar me motrën e Ervin Matës, i cili konsiderohet si kreu i bandës së trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës. Në dëshminë e tij të dhënë në gjyq, Erzen Breçani mohoi të kishte marrë para nga djali i tij dhe as nga Ervin Mata si dhe mohoi të kishte dijeni mbi aktivitetin kriminal të Eralbi Breçanit i cili ishte pjesë e grupit që trafkonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Për operacionin ku u vu në pranga Breçani, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste. Së bashku me arrestimin e Breçanit, u bë edhe arrestimi i Dedan Gjonit, ish-shefit të krimeve në komisariatin numër 6 për dhënien e informacioneve ndaj Ismail Zenelit i cili kishte qëllim vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela. Në pranga ra edhe Bujar Germizi si dhe Besmir Murati, një prej të përfshirëve në ngjarje kriminale të zbardhura nga përgjimet e “SkyEcc”. Ndërkohë detyrim paraqitje, u caktua për Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Në kërkim janë Ervin Mata, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani, të akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës./ Versus.al







