
Motra e Egli Progës në gjendje të rënduar psikologjike, ka pritur në derën e Gjykatës së Korçës mbërritjen e Kristi Meçes, i dyshuar si dhunuesi i vëllait të saj.
Vrasja e Egli Progës mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pogradecit, në orët që pasuan u shoqërua me një sërë paqartësish mbi dinamikën se si kishte ndodhur ngjarja.
Teksa në fillim gjithçka dukej se kishte ndodhur si shkak i gjendjes së dehur të viktimës, i cili thuhej se ishte rrëzuar dhe kishte gjetur vdekjen, më vonë hetimet zbuluan se vdekja e 42-vjeçarit nuk ishte aksidentale, por kishte ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar mbi të.
Për pistën e parë Policia u akuzua se donte të fshihte ngjarjen deri në një moment kur bëri një reagim ku mohoi gjithçka.
Në reagim thuhej se efektivët në asnjë moment nuk kanë tentuar fshehjen e ngjarjes, siç pretendohet në disa media online. Ndërsa më tej theksohet se fillimisht për ngjarjen u shoqëruan disa persona të pranishëm në vendngjarje dhe më pas u kapën autori dhe 3 të tjerë të cilët nuk kallëzuan krimin e rëndë.
Ndërkohë ditën e sotme është paraqitur në Gjykatën e Korçës, Kristi Meçe që akuzohet si i dyshuari kryesor i vdekjes së Egli Progës./ Versus.al







