
Një 33 vjeçar i identifikuar si Ilir Buçeza është vënë në pranga ditën e sotme nga policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim për një plagosje me armë zjarri në maj të këtij viti kundrejt kushëririt të tij.
Buçeza plagosi rëndë me dy plumba në këmbë shtetasin E. B., 24 vjeç në Shënavlash të Durrësit, për motive që dyshohen të dobëta.
Gjykata i ka caktuar më herët autorit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë/ Durrës
Finalizohet operacioni policor i koduar "Shënavlashi", për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.
Plagosi me armë zjarri, një 24-vjeçar, rreth 3 muaj më parë, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.
Si rezultat i kërkimeve dhe administrimit të informacioneve të inteligjencës policore, të kryera në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Sektori kundër Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës lokalizoi, kapi dhe vuri në pranga shtetasin I. B., 33 vjeç.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Durrësit, më datë 30.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 21.05.2024, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Shënavlash, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin E. B., 24 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme./ Versus.al







