Pas një seance maratonë që nisi në orën 08:30 të mëngjesit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është tërhequr për të marrë vendimin lidhur me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe shtatë të pandehur të tjerë. Ky proces gjyqësor është zhvilluar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), e cila ka ngritur akuza të rënda për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Veliaj u arrestua pas një operacioni të SPAK-ut, i cili u fokusua në tenderët dhe procedurat e dyshimta të Bashkisë së Tiranës. Sipas hetimeve, ai akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në nëntë raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Bashkë me të u prangos edhe biznesmeni i njohur Elman Albule, përfaqësues i kompanisë RAMETAL (ish-“METALFORM”), i cili dyshohet se ka përfituar kontrata publike në mënyrë të paligjshme në bashkëpunim me zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, në dosjen hetimore përfshihen edhe pesë biznesmenë të tjerë shqiptarë, të akuzuar për bashkëpunim në veprat penale të kryera nga kreu i Bashkisë.
Prokuroria e Posaçme e argumentoi këtë masë duke marrë parasysh rolin e saj në disa transaksione financiare të dyshimta të lidhura me këtë çështje.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë kërkuar masa më të lehta sigurie për të pandehurit, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për mbajtjen e tyre në paraburgim. Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut këmbëngulin se Veliaj dhe personat e tjerë të përfshirë kanë ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrje korruptive, duke dëmtuar interesin publik.
Ndërsa gjykata është tërhequr për të marrë një vendim përfundimtar, pritet që ditët në vijim të sjellin zhvillime të reja lidhur me këtë çështje, e cila tashmë ka marrë vëmendjen e gjerë të qytetarëve dhe mediave. /Versus.al/







