
Mëngjesin e sotëm, u vetëvra Olsi Ibro i akuzuar nga prokuroria e Tiranës si njëri prej krerëve të skemës korruptive të ngritur me mashtrimet e mikrokredive që zhvati nga qytetarët miliona euro.
Ibro ishte i shpallur në kërkim, ndërsa bashkëshortja e tij Elda Ibro është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për veprat penale shpërdorim detyre dhe vjedhje. Më 30 maj, prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e 10 mln euro të llogarive bankare që i përkisnin Elda Ibros dhe përmbaruesve të përfshirë në këtë skemë korruptive që shkaktoi miliona euro dëm tek qytetarët dhe shkatërrimin e jetës së shumë prej tyre, duke përmendur këtu rastin e Pal Trashajt i cili u vetëvra ditë më parë duke pirë fostoksinë para SPAK pasi kishte rënë pre e mashtrimit të skemës me mikrokreditë.
Olsi Ibro dyshohet se ishte “arkitekti” i skemës mashtruese më të madhe në 20 vitet e fundit në Shqipëri, duke qëndruar në hije publikisht, por i denoncuar nga mijëra qytetarë në SPAK dhe prokuroritë e rretheve.
Vetëvrasja e Ibros vjen një ditë pasi Prokuroria e Tiranës sekuestroi “Micro credit Albania’, shoqërinë pa licensë banke, ku ishte administratore bashkëshortja e tij Elda Ibro. Ndërsa viktima, i shpallur në kërkim mendohej se ishte jashtë shtetit në arrati, por policia bëri me dije në njoftimin e dhënë se 45 vjeçari i kishte dhënë fund jetës duke u vetëhedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku”.
Skema e përdorur nga shoqëritë e sekuestruara:
Këto shoqëri përdornin të dhënat personale të qytetarëve që nuk kishin mundësi të shlyenin huatë, duke u marrë numrat e telefonit dhe të familjarëve të vetë si edhe të dhëna të gjendjes civile. Duke pasur në zotërim këto të dhëna, ato përdornin presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve apo familjarëve të tyre, duke i marrë në telefon në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që të nënshkruanin marrëveshje të reja për kredi.
Më pas shoqëritë e sekuestruara mashtronin qytetarët duke u sekuestruar pasuritë e paluajtshme të cilat ua përllogaritnin në mënyrë të padrejtë nëpërmjet mbifryrjes së vlerës së borxhit.
“Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat”- njofton prokuroria.
Si rrjedhojë e këtyre mashtrimeve dëmi përllogaritet deri më dhjetëra miliona euro duke marrë parasysh të gjithë qytetarët të cilëve u janë sekuestruar pronat dhe rrogat duke mos u lënë të ardhura as për minimumin jetik. Versus.al







