AKTUALITET /

Dhjetëra mln euro zhvatje e qytetarëve me mikrokreditë, sekuestrohen “Micro Credit” dhe “Final”

Këto shoqëri bankare dyshohet se kanë mbifryrë detyrimet që kishin ndaj tyre qytetarët që merrnin mikrokredi, duke shkaktuar dëm prej miliona eurosh.

Shkruar nga Versus

Dhjetëra mln euro zhvatje e qytetarëve me mikrokreditë,

Tiranë- Prokuroria ka vënë nën sekuestro subjektet bankare “Micro Credit Albania” dhe “Final” në kuadër të një operacioni të zhvilluar për hetimin e skandalit të zhvatjes së qytetarëve me anë të mikrokredive, temë që ka “shkundur” vendin së fundmi.

Sipas hetimeve të prokurorisë të dy subjektet e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi, kishin krijuar një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve, dëm që përllogaritet deri në miliona euro.

Këto shoqëri përdonin presionin psikologjik për të detyruar qytetarët që të merrnin kredi të tjera dhe frynin detyrimet e përllogaritura pa asnjë bazë ligjore. Kujtojmë se në 30 maj, prokuroria sekuestroi 10 mln euro që dyshohet se kishte ardhur si pasojë e aktivitetit kriminal të këtyre shoqërive.

Ndërsa skandali me mikrokreditë zbuloi një skemë të madhe mashtrimi për të cilën GJKKO i caktoi 3 muaj kohë SPAK-ut për të hetuar guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejkon. Një prej qytetarëve të mashtruar nga skema e mikrokredive, Pal Trashaj i dha fund jetës duke pirë fostoksinë jashtë ambienteve të SPAK-ut ku kishte shkuar për të kërkuar ndihmë si shpresë e fundit.

Kreu i SPAK, Altin Dumani në përgjigjiet e dhëna ndaj deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë sqaroi se SPAK nuk kishte nisur hetimin e skandalit të mikrokresive për shkak se vetë prokuroria e Tiranës kishte dërguar në gjykatën e shkallës së parë kërkesën për pushimin e çështjes.

Në muajin maj, gjykata e Tiranës caktoi 4 masa arrest shtëpie dhe 4 “arrest me burg” ndaj përmbaruesve dhe administratorëve të këtyre subjekteve financiare të cilët u përfshinë në abuzime që detyruan dhjetëra qytetarë të rimerrnin kredi duke ju sekuestruar pasuri shumëfish nga vlera e huasë.

Skema e përdorur nga shoqëritë bankare:

Këto shoqëri përdornin të dhënat personale të qytetarëve që nuk kishin mundësi të shlyenin huatë, duke u marrë numrat e telefonit dhe të familjarëve të vetë si edhe të dhëna të gjendjes civile. Duke pasur në zotërim këto të dhëna, ato përdornin presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve apo familjarëve të tyre, duke i marrë në telefon në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që të nënshkruanin marrëveshje të reja për kredi.

Më pas shoqëritë e sekuestruara mashtronin qytetarët duke u sekuestruar pasuritë e paluajtshme të cilat ua përllogaritnin në mënyrë të padrejtë nëpërmjet mbifryrjes së vlerës së borxhit.

“Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA,  pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande  fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive. 

Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë  të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat”- njofton prokuroria.

Si rrjedhojë e këtyre mashtrimeve dëmi përllogaritet deri më dhjetëra miliona euro duke marrë parasysh të gjithë qytetarët të cilëve u janë sekuestruar pronat dhe rrogat duke mos u lënë të ardhura as për minimumin jetik. Versus.al

Poll