
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sqaruar vendimin për refuzimin e kërkesë së Erion Veliajt për të takuar përfaqësuesit e misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës.
“Sjellim në vëmendjen tuaj, përkundër raportimeve në media, se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”, njofton SPAK.
Njoftimi i SPAK
“Në përgjigje të kërkesave tuaja- Në datën 11.11.2025, përmes një kërkesë dërguar Prokurorisë së Posaçme, i pandehuri Erion Veliaj ka kërkuar lejimin e një takimi zyrtar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, pa specifikuar emrat e tyre.
Prokuroria e Posaçme e ka refuzuar kërkesën e tij më datë 18.11.2025, duke e mbështetur në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” (nenet 49 pika 1 dhe 73 pika 1 dhe 2) dhe VKM nr. 209/2022.
Sjellim në vëmendjen tuaj, përkundër raportimeve në media, se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës”
Ditën e sotme SPAK refuzoi kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës që Erion Veliaj të ishte i pranishëm fizikisht në mbledhje.
Dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës i dërgoi një letër Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Burgjeve, ku i kërkonte të lejonin Erion Veliaj që të merrte pjesë në mbledhjen e radhës, ditën e premte.
SPAK e refuzoi kërkesën e Këshillit Bashkiak. Kujtojmë që Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025, dhe që atëherë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Këshilli Bashkiak e shkarkoi nga detyra, por Veliaj u rikthye në postin e kryetarit nga Gjykata Kushtetuese.
Letra e Këshillit Bashkiak të Tiranës drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e cila do të zhvillohet ditën e premte më datë 21/11/2025, ora 10:00 në ambientet e Bashkisë Tiranë.
Sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, konkretisht:
Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
