AKTUALITET /

Viti i Ri nuk nis me këmbë të mbarë: 7 viktima dhe dhjetra të plagosur në vetëm dy ditë

Viti i Ri nuk nisi me këmbë të mbarë në Shqipëri: aksidente tragjike dhe krime në familje lanë viktima dhe shqetësim të madh. Dy ditët e para të 2026-s tregojnë se problemet e vjetra vazhdojnë të sfidojnë qytetarët.

Shkruar nga Versus

Viti i Ri nuk nis me këmbë të mbarë: 7 viktima dhe dhjetra

Pa mbushur as 24 orë nga hyrja e vitit 2026, Shqipëria është tronditur nga një seri ngjarjesh tragjike.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, 7 persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur në aksidente rrugore dhe raste të dhunës familjare.

Festimet e Vitit të Ri morën kthesën më të errët në aksin Gjirokastër–Tepelenë, ku tre të rinj humbën jetën pas një përplasje të tmerrshme mes një Volksëagen dhe një Mercedes-Benz.

Dy të rinjtë, Klejdi Myftari 24 vjeç dhe Anxhelo Ruçi 27 vjeç, vdiqën në vend, ndërsa drejtuesi i Mercedes-it, Martin Dulaj 25 vjeç, nuk ia doli të mbijetonte.

Pasagjerja 19-vjeçare, Arsida Demiri, mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike.

Tragjedia u përsërit mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Gocaj. Një tjetër përplasje mes dy automjeteve la pas dy viktima: Elona dhe Petrit Florini, bashkëshortë. Tre të tjerë, përfshirë një nënë me dy fëmijë të mitur, mbetën të plagosur, megjithëse jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja më e rëndë e këtyre dy ditëve ndodhi mesditën e sotme në Orikum, ku Llogora Xhebro vrau gruan e tij, Sose Xhebron, dhe më pas i dha fund jetës. Çifti, që kishte filluar procedurat e divorcit dhe nuk jetonte së bashku prej dy muajsh, përshkallëzoi konfliktet e gjatë gjatë periudhës së festave.

Sose Xhebro ishte kthyer nga Italia për të kaluar pushimet e fundvitit, por kthimi u shoqërua me tensione që përfunduan tragjikisht.

Hetimet e grupit hetimor po vazhdojnë intensivisht, ndërsa autoritetet mbledhin dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt për të kuptuar rrethanat që çuan në vrasjen dhe vetëvrasjen e çiftit.

Viti i Ri nuk solli vetëm festë, por edhe problemet e vjetra që nuk u zgjidhën: aksidente tragjike, konflikte të pazgjidhura dhe dhuna në familje vazhduan të shkaktojnë humbje jete dhe shqetësim për qytetarët. Dy ditët e para të 2026-s tregojnë se sfidat e mëdha mbeten të pranishme dhe kërkojnë vëmendje urgjente nga të gjithë./ Versus.al

Poll