Lezhë- Gjykata ka kaluar për gjykim vrasjen e ndodhur në prill të vitit 2023, kur biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij nga portugezi Ruben Saraiva.
Ky i fundit u kap në Marok prej ku më pas u ekstradua në vendin tonë. Seanca paraprake për vrasjen do të mbahet më 26 shkurt.
Saraiva akuzohet për vrasje për shkak të gjakmarrjes dhe armëmbajtje pa leje. Ai po mbahet në paraburgimin e Tiranës, nga ku ka pretenduar se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë lidhje me rastin e vrasjes së Nikulajt dhe se në Shqipëri kishte qenë si turist.
Dosja penale tashmë pritet të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Lezhës, e veçuar nga 5 të akuzuarit e tjerë, mes të cilëve 4 shtetas anglezë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe. Më 27 Gusht gjykata britanike vendosi ekstradimin e 3 nga 4 prej anglezëve.
Shqiptari Edmond Haxhia, po i arrestuar atje, gjithashtu ndodhet në proces ekstradimi. Ai dyshohet si porositësi i krimit për motive gjakmarrjeje, në emër të kushërinjve të tij, familjes Lekstakaj. Versus.al







