
23 vjeçari nga Filipina Mark Samson e ka pranuar autorësinë e vrasjes së studentës shqiptare Ilaria Sula.
Ai është rrëfyer para togave të zeza duke thënë se ka goditur për vdekje ish-të dashurën me thikë dhe më pas e ka mbyllur trupin e saj brenda një valixhe të cilën e ka lënë në një zonë të pyllëzuar në provincën e Romës.
"E hodha telefonin e saj në një pusetë në Romë dhe e ngarkova trupin e saj në makinë duke e çuar në Poli".
Tabulatet telefonike të viktimës kanë çuar policinë drejt 23-vjeçarit, i cili në ditët e zhdukjes së saj dyshohet se përdori celularin e së resë për të bërë postime në rrjetet sociale të Ilaria-s.
Më pas ka qenë ai që ka dërguar policinë në vendin ku ka hedhur trupin e ish të dashurës së tij.
Ndërkohë ka folur edhe vëllai i viktimës, i cili ka deklaruar se e motra ka qenë në një lidhje me të riun por ishin ndarë.
“E pashë motrën time për herë të fundit të dielën më 23 mars kur ajo erdhi në Terni. Ajo ishte e qetë dhe nuk më tregoi për asnjë problem. Kjo ishte hera e fundit që jam i sigurt që fola me motrën time. Nuk jam i sigurt nëse ajo i ka shkruar mesazhet që kam marrë pas asaj dite”, deklaroi Leoni, vëllai 20-vjeçar i Ilaria Sulës.
Ndërsa shtoi: “E njoh, ata ishin bashkë për rreth 1 vit, por u ndanë. Pyesim veten pse e bëri këtë. Vetëm ai mund ta dijë.”/Versus.al








