
Tiranë- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Erzen Breçanit për lirimin nga qelia ku po mbahet si pjesë e grupit kriminal që trafikonte drogë. Përfshirja e tij u zbulua pas mesazheve të zbërthyera në “SKY Ecc” ku Breçani dukej qartë se ishte në dijeni të aktivitetit të djalit të tij Eralbi Breçanit i cili merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine.
Breçani kishte kërkuar lirimin nga qelia me pretendimin se i rrezikohej jeta për shkak se është klaustrofobik (frikë nga ambientet e mbyllura) dhe problemeve me zemrën.
Por pas ekspertizës mjekoligjore, u hodhën poshtë pretendimet e Breçanit dhe si pasojë masa e sigurisë ndaj tij do të vazhdojë të jetë ajo e arrestit me burg deri në përfundimin e hetimit për dosjen ku rezulton i përfshirë.
Erzen Breçani akuzohet për përkrahje të autorit në krim dhe për pastrim parash. Ai u arrestua në nëntor të vitit të kaluar në hyrje të stadiumit “Air Albania” ku po shkonte për të ndjekur ndeshjen e kombëtares përballë Ishujve Faroe. Në kuadër të hetimeve ndaj tij është sekuestruar edhe hidrocentrali "Drita" që e kishte në pronësi pasi dyshohet se është ndërtuar me të ardhura që buronin nga veprimtaria kriminale. Përveç Breçanit i cili ka mbajtur më parë postin e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, u arrestuan me urdhër të SPAK edhe Dedan Gjoni, ish-shef i krimeve në komisariatin numër 6, Bujar Ajeti si dhe Besmir Murati nën akuzën bashkëpunimit me njëri tjetrin me qëllim vrasjen e dy vëllezërve Albert dhe Edmond Nela.
Në total, SPAK lëshoi 11 urdhër arreste, mes të cilëve është edhe emri i Ervin Matës, një emër i njohur për drejtësinë pas përplasjes së tij me ish-bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinajn në 2018-ën në ish-bllok. Mata akuzohet për trafik droge. Ndërsa djali i Erzen Breçanit, Erabli Breçani, po ashtu në kërkim akuzohet për pastrim parash dhe trafik droge. Versus.al







