
Detaje të reja janë bërë publike lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, për të cilin Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim shokun e tij të ngushtë, Armand Shakaj, si person të dyshuar në lidhje me ngjarjen.
Sipas burimeve hetimore, dyshohet se Shakaj, në përpjekje për t’iu shmangur kontrolleve të policisë, ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit dyshohet se mund të ketë qenë edhe trupi i pajetë i 34-vjeçarit. Lëvizjet dyshohet të kenë ndodhur më 6 qershor, në zonën e Ibës.
Nga të dhënat paraprake, rezulton se viktima e dyshuar ka pasur kontaktet e fundit me familjen më 4 qershor, ndërsa më pas i janë ndërprerë gjurmët.
Policia ka shoqëruar për pyetje pronarin e karrotrecit, i cili ka deklaruar se mjeti i është kërkuar nga Shakaj për ta dërguar në një servis në zonën e Ibës, pasi sipas tij kishte defekt teknik. Ai ka shtuar se nuk kishte dijeni për atë që mund të ndodhej brenda automjetit.

