Faik Ajdini, një 72-vjeçar nga fshati Zhapokike i Memaliajt, është gjetur i vrarë mëngjesin e sotëm pranë një përroi që lidhet me lumin Vjosë. Familja e tij kishte humbur kontaktet me të për më shumë se 48 orë para se të bëhej zbulimi i trupit të tij.
Sipas hetimeve paraprake, Ajdini ka pësuar dy goditje fatale në qafë dhe kokë, me mjete prerëse si sëpatë ose thikë. Plaga në qafë ka shkaktuar hemorragji që ka rezultuar në vdekjen e tij.
Faik Ajdini shërbente si kryeplak i fshatit pranë bashkisë Memaliaj dhe merrej me ankesat e bashkëfshatarëve, duke i adresuar ato në strukturat policore dhe në bashkinë e Memaliajt.
Dyshohet se vrasja e tij lidhet me një konflikt të mëparshëm me një çoban të zonës, i cili kishte ndodhur rreth dy muaj më parë për një kullotë për bagëtitë. Ky konflikt është dyshuar si shkaku i mundshëm i krimit.
Prokuroria e Gjirokastrës është duke hetuar rastin dhe ka lidhur ngjarjen me detyrën që kryente 72-vjeçari, duke shqyrtuar të gjitha mundësitë e lidhura me motivet e mundshme të krimit.







