SPAK ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili gjatë ditës së sotme u shpreh se, Julian Gjoshi ekzekutoi Alfred Dedjan, dëshmitarin kyç në vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në kompleksin ‘Gold’ në pronësi të Altin Hajrit.
Reagimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj.
Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit ‘Golden’, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.
I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit ‘Golden’ akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi ‘arrest me burg’ në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin ‘Golden’.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjes për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.







