Këshilli i Himarës me 12 vota pro ka zgjedhur Arqile Bollanon si kryetar i komanduar i kësaj bashkie, ndërsa opozita ka bojkotuar këtë mbledhje.
Kandidati tjetër Pervin Gjikuria gjatë mbledhjes së sotme deklaroi tërheqjen nga gara, duke i mbetur detyra e re Bollanos.
Për mediat Bollano u shpreh se do të jetë bashkëpunues edhe me palën tjetër.
'Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi gjithë punën për të bërë. nuk ka vend për llafe por ka vend vetëm për punë. Kemi shumë gjëra për të bërë. unë kam përgjegjësi të madhe dhe kjo do ta tregojë në vazhdimësi', tha Bollano.
Bollano zgjidhet kryetar pas dorëheqjes ditë më parë të Blerina Balës për arsye personale siç deklaroi vetë ajo.
Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja vetëm pas një vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për Fredi Belerin, i dënuar me dy vite burg nga GJKKO pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendorë të 14 majit 2023.







