
Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar sot përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit të cilën e cilësoi si një prej ngjarjeve të para të mëdha kur u krijua vetëdija kombëtare e shqiptarëve.
Begaj shkruan se akti sublim i do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në historinë e kombit shqiptar si gatishmëri për të sakrifikuar gjithçka për identitetin tonë kombëtar dhe lirinë.
Postimi i plotë i Begajt në facebook:
Lidhja e Prizrenit shënjon një prej ngjarjeve të para të mëdha të krijimit të vetëdijes sonë kombëtare dhe nisjen e lëvizjes për të bashkuar të gjitha trojet e të gjithë shqiptarët.
Ajo që ndodhi më 10 qershor 1878, ku patriotë nga çdo krahinë e vilajeteve shqiptare deklaruan në një zë se çdo pëllëmbë tokë nga dheu shqiptar do të mbrohet me gjak, ishte një akt sublim që dëshmon fuqinë e një kombi, shpirtin e një populli për të sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe identitetin kombëtar.
Lidhja e Prizrenit do të mbetet përjetë simbol i kësaj qëndrese e sakrifice dhe do të këtë një vend të lartë në historinë tonë kombëtare.
Fryma e Lidhjes së Prizrenit shoqëroi kryengritjet para pavarësisë, ajo frymë ishte në Kuvendin e Vlorës dhe po ajo frymë mbajti gjallë shpirtin kombëtar në Kosovë për gati një shekull pushtim serb, derisa solli pavarësinë.
Nderim përjetë patriotëve dhe luftëtarëve të Lidhjes historike të Prizrenit!







