BOTA /

Albin Kurti merr 72% të votave të diasporës

Shkruar nga Versus

Albin Kurti merr 72% të votave të diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përfunduar numërimin e 27 mijë votave të dërguara me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm sa i përket votave me postë, duke marrë 72.20 për qind apo 19.344 vota.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqaroi se këto nuk janë fletëvotimet e fundit nga jashtë Kosovës që do të numërohen.

"Të tjera fletëvotime që i takojnë votimit me postë janë tërhequr nga KQZ me datë 2 dhe 5 janar", tha ai.

“Janë rreth 20 mijë pako me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar që pritet të numërohen së shpejti”, citoi Elezi.

“Por, derisa të bëhet vlerësimi dhe verifikimi i tyre, KQZ pritet që deri në orën 20:00 të fillojë më numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, u shpreh Elezi.

KQZ pret që rezultatet përfundimtare të shpallen më herët seç kishte planifikuar, përkatësisht para 19 janarit.

Sipas rezultateve të përmbledhura deri më tani, LVV-ja ka fituar 50.67 për qind, PDK-ja 20.43 për qind të votave, LDK-ja 13.33 për qind, AAK-ja 5.52 për qind dhe Lista Serbe 4.56 për qind.

Poll