
Një gjykatë në Gjeorgji ka urdhëruar që Shimon Hayut, 34 vjeç, të mbahet në paraburgim për tre muaj, në pritje të një kërkese të mundshme për ekstradim nga Gjermania, sipas një vendimi të siguruar nga OCCRP.
Avokati i tij, Sagiv Rotenberg, konfirmoi se Hayut u arrestua të dielën në mëngjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Batumit, pas një njoftimi të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Gjermanisë. “Gjatë këtyre tre muajve, Gjermania mund të dërgojë një kërkesë për ekstradim – ose mund të mos e bëjë,” tha Rotenberg, duke shtuar se klienti i tij mohon të gjitha akuzat.
I njohur edhe si Simon Leviev, Hayut u bë i famshëm ndërkombëtarisht pas dokumentarit të Netflix-it të vitit 2022 The Tinder Swindler, ku disa gra e akuzuan se i kishte mashtruar duke u marrë shuma të mëdha parash.
Dokumentari pretendonte se ai i joshi viktimat me takime luksoze, u paraqit si djali i një magnati të diamanteve, e më pas trillonte kriza personale për t’i bindur që të hapnin kredi ose të merrnin hua në emër të tij, përpara se të zhdukej duke i lënë me borxhet.
Sipas dokumenteve të Interpolit prokurorët gjermanë e akuzojnë Hayut se mes viteve 2017 dhe 2019 mashtronte një grua në Berlin, duke i lënë asaj pothuajse 44 mijë euro (52 mijë dollarë) shpenzime për hotele, fluturime, një kartë krediti dhe një kontratë telefoni – të cilat ai nuk i shlyeu kurrë.
Hayut ka pasur më parë përplasje me drejtësinë në Izrael.
Në vitin 2019, një gjykatë në Tel Aviv e dënoi me 15 muaj burg për katër akuza mashtrimi, të palidhura me rastin gjerman. Ai u lirua pas pesë muajsh për shkak të masave të COVID-19.
Në një intervistë të vitit 2022 për programin amerikan Inside Edition, Hayut hodhi poshtë akuzat e dokumentarit, duke këmbëngulur se nuk ishte paraqitur kurrë si trashëgimtar i një perandorie diamantësh dhe duke e cilësuar veten si një “biznesmen i ligjshëm” që ishte pasuruar nga investimet në Bitcoin.
Avokati Rotenberg tha se kishte folur me klientin e tij pas vendimit të së martës, duke theksuar se Hayut ishte ankuar për kushtet e paraburgimit në Gjeorgji, përfshirë mungesën e ujit dhe ushqimit kosher.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Hayut ka të drejtë të apelojë brenda shtatë ditësh vendimin për paraburgimin tremujor./Versus.al







