Një grup protestuesish është futur të enjten në ambientet e Ministrisë franceze të Ekonomisë dhe Financave në Bercy, vetëm disa orë përpara nisjes së marshit kryesor në kryeqytet. Lajmi është konfirmuar nga sindikata Sud Rail dhe nga pamje të siguruara nga agjencia AFP.
"Hymë brenda fortesës së Bercy-t!", deklaroi për AFP Fabien Villedieu, sekretar federal i sindikatës Sud Rail. Sipas tij, rreth 300 persona, përfshirë punonjës të hekurudhave nga stacioni i Lyon-it, punonjës të RATP-së (transporti publik parizian) dhe studentë, morën pjesë në këtë aksion që, sipas sindikatës, u zhvillua "pa dhunë dhe pa dëmtime".
Kjo ndërhyrje ndodhi në kuadër të një dite të madhe mobilizimi, organizuar nga tetë sindikatat kryesore në Francë. Sipas CGT-së, një prej sindikatave më të mëdha, më shumë se një milion qytetarë morën pjesë në protesta në të gjithë vendin, duke tejkaluar edhe pjesëmarrjen e protestës kundër reformës së pensioneve në qershor 2023, ku numri i pjesëmarrësve ishte rreth 900 mijë. Ministria e Brendshme ende nuk ka dhënë një shifër zyrtare për pjesëmarrjen e përgjithshme në protestat e 18 shtatorit.
Zyra e shtypit e Ministrisë së Ekonomisë konfirmoi se rreth 50 persona kanë hyrë në oborrin e institucionit për rreth njëzet minuta, pa asnjë incident apo dëmtim të pronës. Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë protestues që hyjnë nëpërmjet një porte të hapur pjesërisht, teksa rojet e sigurisë shihen të papërgatitur për situatën.
Megjithatë, ministria reagoi duke theksuar se: “Liria e shprehjes dhe e protestës është e garantuar në vendin tonë, por kjo nuk mund të justifikojë hyrje të paligjshme në ndërtesa publike.”
Protestuesit kërkuan që qeveria të bëjë ndryshime të thella në buxhetin e shtetit dhe të rishikojë prioritetet ekonomike.
“Për buxhetin, i sugjeruam ministrisë – me edukatë, por me vendosmëri – që të shkojnë të marrin paratë aty ku janë: në xhepat e më të pasurve,” tha Fabien Villedieu.
Ai shtoi gjithashtu se mobilizimi nuk do të ndalet me kaq: “Është e papranueshme që të ndalemi këtu. Kemi fituar tashmë me tërheqjen e dy ditëve të pushimit zyrtar, dhe do të vazhdojmë përpara me kërkesat tona.”







