BOTA /

Goditje globale ndaj barnave të paligjshme: sekuestrohen 15.5 milionë dollarë produkte farmaceutike të falsifikuara

Shkruar nga Versus

Goditje globale ndaj barnave të paligjshme: sekuestrohen 15.5 milionë

Interpol ka sekuestruar mbi 6.4 milionë doza ilaçesh të falsifikuara dhe të paautorizuara gjatë një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar në 90 vende të botës.

Sipas agjencisë, produktet e konfiskuara arrijnë vlerën e rreth 15.5 milionë dollarëve dhe përfshijnë medikamente për problemet me ereksionin, qetësues, analgjezikë, antibiotikë dhe produkte kundër duhanpirjes.

Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Valdecy Urquiza, paralajmëroi se ilaçet e falsifikuara përbëjnë një rrezik serioz për jetën e njerëzve.

“Sot, përmes tregjeve online dhe zinxhirëve informalë të furnizimit, kriminelët po shfrytëzojnë boshllëqet për të targetuar persona që kërkojnë trajtime të shpejta ose të lira. Pasojat mund të jenë të rënda, madje fatale”, deklaroi ai.

Sipas raportit, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi ku u sekuestrua numri më i madh i dozave, me mbi 2.1 milionë njësi, e ndjekur nga Kolumbia dhe Australia.

Operacioni zbuloi gjithashtu më shumë se 5 mijë faqe interneti, profile në rrjete sociale dhe platforma të automatizuara të lidhura me shitjen e ilaçeve të paligjshme.

Interpol ngriti shqetësimin edhe për rritjen e barnave të falsifikuara kundër parazitëve, të cilat po promovohen online si trajtime alternative kundër kancerit, pavarësisht mungesës së provave shkencore.

Ndërkohë, steroidet rezultuan produkti më i sekuestruar gjatë operacionit, me mbi 86 mijë doza të konfiskuara. Agjencia tha se kërkesa për këto produkte po shtohet në komunitetet e bodybuilding-ut dhe fitnesit.

Autoritetet zbuluan edhe ilaçe të falsifikuara për humbje peshe të tipit GLP-1, të cilat shiteshin online me çmime shumë të ulëta. Sipas Interpolit, disa prej tyre përmbanin sibutraminë, një substancë e ndaluar në shumë vende për shkak të rrezikut të lartë për infarkt dhe goditje në tru./Versus.al

Tags:

barna

Poll