Belgjikë- Mbi 100 persona janë dënuar për krime të lidhura me drogën në gjyqin më të madh të zhvilluar nga drejtësia belge sa i takon këtyre veprave penale, duke goditur kështu një rrjet të gjerë trafiku që vepronte nga Amerika e Jugut dhe Maroku drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Dënimet kanë ardhur pas provave të zbardhura falë përgjimeve më shumë se 2 vjeçare të zhvilluara nga efektivët e policisë në aplikacionin “Sky Ecc”.
Gjyqi zgjati për pesë muaj, me 129 të pandehur të akuzuar si pjesë e bandave të drogës që qëndronin pas importit të lartë të kanabisit dhe kokainës në Evropë. Drejtuesit kryesorë të bandave morën dënimet më të gjata, që varionin nga shtatë deri në 17 vjet burg, ndërsa të pandehurit e tjerë, duke përfshirë një ish-oficer policie, morën dënime burgimi nga 14 muaj deri në 15 vjet. Nëntë persona u liruan nga akuzat.
Përveç trafikut të drogës, të pandehurit janë dënuar edhe për përfshirje në dhunë, pastrim parash, zhvatje dhe rrëmbim.
Përgjimet e Sky Ecc si provë?
Për vite me radhë, kriminelët e drogës komunikonin dhe orkestronin trafikun e drogës nëpërmjet shërbimit telefonik Sky ECC, një platformë që u konsiderua "e pamundur për t'u goditur". Në mars 2021, policia belge njoftoi se kishte hakuar sistemin dhe kishte pranuar se kishte përgjuar mesazhe të koduara për më shumë se dy vjet. Më vonë atë vit, u zhvillua një operacion masiv kërkimi, me bastisje në 114 vende të ndryshme në Belgjikë në tetor.
Një prej avokatëve mbrojtës të të dënuarve kritikoi marrjen e përgjimeve si prova me argumentin se nuk ishin marrë ligjërisht dhe pretendoi se kjo ndikon në integritetin e sistemit të drejtësisë.
Vendimi i gjykatës së Strasburgut
Ditë më parë Gjykata e Strasburgut iu përgjigj një padie të bërë nga dy shtetas anglezë të akuzuar për grup kriminal dhe trafik droge në bazë të përgjimeve të kryera në Sky Ecc. Të pandehurit kërkuan që gjykata të rrëzonte përgjimet e “Sky Ecc” duke mos i konsideruar si prova të ligjshme ndërsa përgjigjia ishte se një kërkesë të tillë, duhet ta bënin në vendin ku ishin publikuar këto përgjime, pra në rastin konkret në Francë.
Çështja nëse përgjimet e Sky Ecc duhet të konsiderohen si prova të ligjshme po trajtohet edhe në Shqipëri, ku njëri prej të pandehurve për dosjen “Metamorfoza”, biznesmeni Pëllumb Gjoka ka çuar diskutimin për në gjykatën Kushtetuese e cila pritet të dalë me një vendim. Versus.al