
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar këtë të mërkurë, se lufta kundër Iranit nuk ka përfunduar ende, pavarësisht goditjeve të rënda që Republika Islamike ka pësuar.
Duke folur për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se Irani ka humbur marinën, forcat ajrore dhe sistemet kundërajrore, ndërsa udhëheqësit e tij janë eliminuar.
“Ata e kanë humbur marinën. I kanë humbur forcat ajrore. Nuk kanë asnjë aparat kundërajror. Nuk kanë radar. Udhëheqësit e tyre janë zhdukur. Dhe ne mund të bëjmë edhe më keq”, tha Trump.
“E kemi goditur Iranin më fort se pothuajse çdo vend në histori, por nuk kemi mbaruar ende”, shtoi ai.
Ndërsa më herët, në një intervistë për median amerikane Axios, Trump shtoi se lufta do të përfundojë “së shpejti” dhe se “praktikisht nuk ka mbetur më asgjë për të goditur”. Ai theksoi se fundi i konfliktit varet vetëm nga vendimi i tij: “Kurdo që dua ta përfundoj, do të përfundojë.”
Konflikti u nis më 28 shkurt në bashkëpunim me Izraelin. Ministri i Mbrojtjes izraelit, Israel Katz, deklaroi se lufta do të vazhdojë pa afat kohor, derisa të arrihen të gjitha objektivat e fushatës së përbashkët izraelito-amerikane. Versus.al

