BOTA /

"Kina do t'ju hajë të gjallë", Trump kërcënon Kanadanë me 100% tarifa doganore pas paktit me rivalët

Shkruar nga Versus
"Kina do t'ju hajë të gjallë", Trump
Mark Carney, Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do t’i vendosë Kanadasë tarifa doganore 100% për të gjitha mallrat, nëse kryeministri i vendit arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.

“Kina do ta hajë Kanadanë të gjallë, do ta shqyejë, përfshirë shkatërrimin e bizneseve, shoqëisë dhe jetesës së përditshme. Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë doganore 100% për të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në SHBA,” shkroi Trump në Truth Social.

Tensionet mes Trumpit dhe kryeministrit kanadez Mark Carney janë përshkallëzuar ditët e fundit, pasi Carney mbajti një fjalim në Davos, Zvicër, ku u pozicionua kundër fuqive të mëdha botërore.

Carney, gjatë një vizite të fundit në Kinë, e quajti superfuqinë aziatike një “partner të besueshëm dhe të parashikueshëm” dhe në Davos inkurajoi udhëheqësit evropianë të kërkojnë investime nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Trump tha se Kina do të përpiqej ta përdorte Kanadanë për të shmangur tarifat amerikane.

“Nëse guvernatori Carney mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘port shkarkimi’ për Kinën që të dërgojë mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, gabon rëndë”, tha ai.

Tensionet mes SHBA-së dhe fqinjit të saj verior janë rritur ditët e fundit.

Të enjten, Trump e tërhoqi ftesën për Kanadanë për t’iu bashkuar nismës së Bordit të Paqes, që synon zgjidhjen e konflikteve globale. Ky ndryshim qëndrimi pasoi fjalimin e Carney-t në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ai kritikoi hapur vendet e fuqishme që përdorin integrimin ekonomik si armë dhe tarifat si mjet presioni.

Poll