Parlamenti i Serbisë ka votuar për formimin e qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga kryeministri Gjuro Macut. Në seancën plenare, për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar votuan 153 deputetë, ndërsa 46 ishin kundër. 51 deputetë munguan në votim.
Në fjalimin e tij para deputetëve, Macut deklaroi se qeveria e re do të vazhdojë me të njëjtën linjë ekonomike që ka ndjekur vendi në vitet e fundit. “Do të vazhdojmë me politikën e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik që kemi pasur deri më tani”, theksoi ai, duke treguar qartë se nuk priten ndryshime të mëdha në qasjen ekonomike të shtetit.
Kabineti i ri përfshin 30 ministra, shumica prej të cilëve kanë qenë pjesë e qeverisë së mëparshme të drejtuar nga Milosh Vuçeviç, i cili dha dorëheqjen pak kohë më parë.
Qeveria e re pritet të përballet me sfida të rëndësishme në nivel të brendshëm dhe ndërkombëtar, përfshirë ruajtjen e stabilitetit ekonomik, menaxhimin e marrëdhënieve me BE-në dhe tensionet në rajon./Versus.al/








