"Drejtësia duhet të vihet në vend, tani", tha të shtunën Presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke ushtruar presion mbi Departamentin e Drejtësisë për të ndjekur penalisht kundërshtarët e tij politikë, dy prej të cilëve akuzohen për mashtrim. Në një postim në Truth Social që duket se i drejtohet Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, presidenti i SHBA-së kritikoi vonesën në ndjekjet penale të mundshme kundër senatorit të Kalifornisë Adam Schiff dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut Letitia James, të dy demokratë.
Ata akuzohen nga zyrtari i Agjencisë së Financimit të Strehimit, Bill Pulte, një aleat i Donald Trump, për falsifikim dokumentesh që lidhen me aplikimet për kredi për pasuri të paluajtshme.
"Nuk mund të presim më gjatë, kjo po shkatërron reputacionin dhe besueshmërinë tonë", vuri në dukje presidenti amerikan, duke thënë se kishte lexuar dhjetëra mesazhe që bënin thirrje për ndjekjen penale të Schiff dhe James, si dhe ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, të cilin Trump e akuzon se i ka gënjyer Kongresit.
Të premten, prokurori federal Eric Seibert, i cili kishte refuzuar të ndiqte penalisht Leticia James, duke përmendur mungesë provash, sipas mediave amerikane, dha dorëheqjen pasi presidenti republikan i kërkoi të largohej.
Letitia James, një kundërshtare e ashpër e Donald Trump, kishte siguruar dënimin e tij dhe pagesën e një gjobe prej gati gjysmë miliardi dollarësh para kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Dënimi për mashtrim u rrëzua në fund të gushtit nga një gjykatë apeli e shtetit të Nju Jorkut, e cila e gjeti gjobën "të tepërt" dhe James njoftoi qëllimin e saj për të apeluar vendimin.
"E shkarkova atë (Siebert) dhe ekziston një ÇËSHTJE E MADHE, dhe shumë avokatë dhe ekspertë ligjorë po thonë të njëjtën gjë", shkroi Trump në postimin e tij, me sa duket duke iu referuar hetimeve që synojnë James.
Më vonë dje, presidenti amerikan njoftoi se kishte nominuar Lindsay Halligan, një këshilltare të Shtëpisë së Bardhë, për të zëvendësuar Eric Siebert, duke thënë se Pam Boddy "ka nevojë për një prokurore të fortë" në krah të saj "për të vënë gjërat në lëvizje".
“Jam shënjestruar dy herë me procedura shkarkimi dhe jam akuzuar (5 herë!) PËR ASGJË. DREJTËSIA DUHET TË VENDOSET TANI”, shkroi presidenti amerikan në Truth Social.







