Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar pas rundit të parë të takimeve dypalëshe në Bruksel se i ka thënë shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, që Kosova nuk është në gjendje të përmbushë marrëveshjen për Asiociacionin e komunave me shumicë serbe.
Nëpërmjet një postimin në Instagram pas takimit të zhvilluar në rundin e parë me Borrellin dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Vuçiqi ka thënë se ka theksuar përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdim të dialogut.
“Sot u takova me Borrellin dhe Lajçakun dhe gjatë bisedës theksova përkushtimin e plotë të Beogradit për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen ekskluzivisht paqësore të problemeve. Veçanërisht kam insistuar në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe kam vënë në dukje të gjitha lëvizjet e njëanshme të Albin Kurtit dhe pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe M. E ritheksova përkushtimin dhe vullnetin për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje komprometuese për të mbrojtur popullin serb dhe për të normalizuar marrëdhëniet dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që ka nënshkruar 11 vjet më parë, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka shkruar Vuçiqi.







