Në sesionin e ri parlamentar, komisioni i Sigurisë Kombëtare do të nisë shqyrtimin e disa ndryshimeve në ligjin për të burgosurit. Ligji parashikon aktualisht se një i dënuar të cilit i kanë mbetur edhe 6 muaj vuajtje dënimi, mund të kalojë në burg të hapur, por kjo është një praktikë që nuk zbatohet në Shqipëri.
Sipas ndryshimit ligjor të propozuar,, një personi të cilit i kanë mbetur më pak se 2 vite e 6 muaj burg për të vuajtur, kalon në atë që njihet si burg i hapur, por me kushtin e vetëm që të ketë kontratë të rregullt pune.
Kështu, i dënuari paradite mund të shkojë në punë dhe në darkë kthehet në burgun e hapur. Ky ndryshim i propozuar vjen si pasojë e kostove në buxhetin e shtetit për mbajtjen e një të burgosuri.
“Kemi rreth 5.000 të dënuar dhe të paraburgosur po aq punonjës policie në burgje dhe punonjës civil që punojnë në administratën e burgjeve. Pra i bie një polic për një të dënuar. Kjo është një shifër tejet e lartë. Duke parë statistikat kjo shifër ishte gati me gishtat e njërës dorë. Këtu perimetri i sigurisë është tejet minimal. Parësore është rehabilitimi dhe integrimi, jo siguria, pasi kemi masë dënimi shumë të ulët. Këtu mund të jetë raporti 1 polic me 10 të dënuar”, u shpreh në Top Channel Nasip Naço, kreu i komisionit të Sigurisë.
Vende fqinje si Italia, Mali i Zi e më pas edhe vende të tjera në Evropë e aplikojnë aktualisht këtë ndryshim që vlerësohet si tepër pozitiv në drejtim të të drejtave të personave të dënuar. Versus.al







