POLITIKË /

Iu hoq emri nga listat e anëtarësisë, Doris Madhi akuza të forta për zgjedhjet në PD Elbasan: Më përjashtuan jashtë rregullave!

Madhi ka deklaruar se vendimi për pezullimin e anëtarësisë i është komunikuar jashtë afateve ligjore dhe pa respektuar procedurat statutore, duke e cilësuar gjithë procesin si të parregullt.

Shkruar nga Versus
Iu hoq emri nga listat e anëtarësisë, Doris Madhi akuza të
Doris Madhi

Drejtuesja e grupit të këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, akademikja Doris Madhi, ka ngritur akuza publike për mënyrën si është administruar procesi i anëtarësisë dhe zgjedhjeve në degën lokale të Partisë Demokratike.

Ajo pretendon se emri i saj është hequr nga listat e anëtarësisë, ndonëse prej afro tetë vitesh është pjesë e kësaj force politike dhe aktive në strukturat e saj.

Madhi ka deklaruar se vendimi për pezullimin e anëtarësisë i është komunikuar jashtë afateve ligjore dhe pa respektuar procedurat statutore, duke e cilësuar gjithë procesin si të parregullt.

Sipas saj, procedura për përjashtimin e një anëtari nuk është ndjekur sipas rregullave të PD-së dhe vendimet janë marrë në mënyrë arbitrare.

Në deklaratën e saj, ajo ka akuzuar drejtpërdrejt deputetin e PD-së, Blendi Himçi, duke e konsideruar përgjegjës për zhvillimet në degën e Elbasanit. Madhi pretendon se ai po ndërhyn në procesin zgjedhor për interesa personale dhe politike, ndërsa shton se nga strukturat lokale janë përjashtuar edhe figura të tjera.

Pavarësisht konfliktit të hapur, Doris Madhi është shprehur se do të vijojë angazhimin e saj politik dhe përfaqësimin në Këshillin Bashkiak, duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Blendi Himçi apo nga strukturat qendrore të Partisë Demokratike për akuzat e ngritura.

Situata në degën e PD-së në Elbasan po shoqërohet me tensione të brendshme, në një moment kur procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri mbetet ende i kontestuar./Versus.al

Poll