EKONOMI & MJEDIS /

Alarm për qumështin e foshnjave: Danone nis tërheqjen e loteve të dyshuara si të prekura nga bakteri

Dyshime për toksinën cereulide, masa parandaluese pas rasteve të rënda në Francë dhe Belgjikë

Shkruar nga Versus

Alarm për qumështin e foshnjave: Danone nis tërheqjen e loteve

Gjiganti francez i industrisë ushqimore Danone ka njoftuar se po procedon me tërheqjen vullnetare të dy loteve të qumështit për foshnja, pas rekomandimeve të reja nga një autoritet evropian. Vendimi vjen vetëm disa orë pasi kompania bëri të ditur se po zgjeron masat e saj edhe jashtë Singaporit, ku javën e kaluar ishin bllokuar disa produkte.

“Disa lote qumështi për foshnja, të tregtuara gjithashtu nga Nestlé (nën emra të ndryshëm) dhe Lactalis, janë tërhequr së fundmi nga tregu për shkak të pranisë së mundshme të cereulidës, një toksinë e prodhuar nga disa baktere.”

Danone thekson se ky vendim merret në kuadër të “parimit të kujdesit maksimal”, megjithëse kompania siguron se kontrollet rutinë dhe analizat shtesë kanë konfirmuar se produktet janë të sigurta dhe në përputhje me rregullat e sigurisë ushqimore.

Tërheqje masive edhe nga Nestlé dhe Lactalis
Më 5 janar, Nestlé kishte nisur një tërheqje të gjerë të qumështit për foshnja të markave Guigoz dhe Nidal në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Më pas, edhe Lactalis ndërmori masa të ngjashme në shumë vende të botës, për shkak të pranisë së mundshme të cereulidës, një toksinë e prodhuar nga bakteret Bacillus cereus, e cila mund të shkaktojë të vjella të forta disa orë pas konsumimit.

Dy foshnja humbin jetën në Francë 
Në Francë janë hapur dy hetime penale pas vdekjes së dy foshnjave që kishin konsumuar qumësht të tërhequr nga Nestlé. Autoritetet sqarojnë se ende nuk është vërtetuar një lidhje shkakësore e drejtpërdrejtë, por dyshimet lidhen me ndotjen nga cereulida. Përbërësi problematik dyshohet të vijë nga një prodhues kinez, Cabio Biotech.

Edhe Belgjika është prekur nga kjo tërheqje. Agjencia Federale për Sigurinë e Zinxhirit Ushqimor (AFSCA) bëri të ditur se lotet e dyshuara janë bllokuar në depo, ndërsa po zhvillohet hetimi për të përcaktuar nëse ndonjë produkt ka dalë në treg.
“Kemi kërkuar që gjithçka të bllokohet”, deklaroi zëdhënësja Aline Van den Broeck, duke shtuar se autoritetet po bashkëpunojnë ngushtë me Danone.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje prindërve të kontrollojnë me kujdes produktet që përdorin për ushqimin e foshnjave.

Sipas një deklarate të transmetuar për AFP, Danone po tërheq nga tregu këto produkte:

Gallia Calisma Relais 1er âge (0–6 muaj), kuti 830 g, datë minimale përdorimi: 13/10/2026, kodi EAN: 3041091725943
Blédilait 1er âge (0–6 muaj), kuti 400 g, datë minimale përdorimi: 29/10/2026, kodi EAN: 3041091470966

Poll