EKONOMI & MJEDIS /

Rruga 260 milion euro / Çarja në Qukës - Qafë Plloçë, qarkullimi me një korsi në kthesën e Trebinjës

Segmenti prej 260 milionë eurosh shfaq dëmtime serioze në lotin e dytë, qarkullimi devijohet në një korsi dhe ngrihen dyshime për cilësinë e punimeve

Shkruar nga Versus

Rruga 260 milion euro  / Çarja në Qukës - Qafë

Rruga Qukës–Qafë Plloçë, e përballur prej disa kohësh me rrëshqitje masive dherash sa herë ka reshje shiu, tashmë ka shfaqur edhe çarje serioze përgjatë segmentit të saj në lotin e dytë. Dëmtimet janë konstatuar në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë, ku trupi i rrugës ka pësuar çarje në pjesën qendrore, duke detyruar autoritetet të orientojnë qarkullimin vetëm në një korsi.

Problematikat shfaqen vetëm pak muaj pas inaugurimit të kësaj rruge, e cila u përurua në fillim të shtatorit 2025, pas një procesi ndërtimi që zgjati 16 vite dhe me një kosto totale prej rreth 260 milionë eurosh.

Që prej hapjes, aksi Qukës–Qafë Plloçë është përballur herë pas here me rrëshqitje dherash dhe shkëmbinjsh nga shpatet anësore, duke çuar në bllokime të qarkullimit dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi cilësinë e punimeve dhe studimin gjeologjik të zonës.

Sipas burimeve zyrtare, firma kontraktore ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm për situatën, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar dhe pritet të ndërhyjë për vlerësimin dhe zgjidhjen e problematikës së konstatuar.

 

Poll