EKONOMI & MJEDIS /

Fundoset euro, bie në nivelin më të ulët historik! Leku fiton terren

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia është nxitur kryesisht nga sezoni turistik, i cili shoqërohet tradicionalisht me rritje të prurjeve të valutës në vend, kryesisht euro.

Shkruar nga Versus

 

Fundoset euro, bie në nivelin më të ulët historik! Leku

Monedha europiane Euro ka rënë sot në nivelin më të ulët historik në raport me Lekun, duke u këmbyer me 97.84 lekë, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Ky është minimumi më i ulët që prej nisjes së regjistrimit zyrtar të kursit të këmbimit në vend.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia është nxitur kryesisht nga sezoni turistik, i cili shoqërohet tradicionalisht me rritje të prurjeve të valutës në vend, kryesisht euro. Tremujori i dytë dhe veçanërisht muaji korrik shënojnë pikat më të larta të hyrjeve valutore për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe emigrantëve.

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë dhe qëndrimi i FMN-së

Për të frenuar rënien e mëtejshme të euros, Banka e Shqipërisë ka rinisur që në maj blerjet e drejtpërdrejta të euros në treg, me qëllim stabilizimin e kursit dhe mbajtjen e inflacionit pranë objektivit prej 3%.

Megjithatë, këto përpjekje nuk kanë arritur ta ndalin trendin në rënie. Sipas misionit të FMN-së, qëndrueshmëria e regjimit të lirë të kursit të këmbimit mbetet thelbësore, pasi ofron fleksibilitet për përballimin e goditjeve të jashtme dhe është në përputhje me standardet e BE-së.

Norma e interesit në rënie dhe efekti i kufizuar në treg

Në mënyrë të papritur, Banka Qendrore uli muajin e kaluar normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.5%, me synim nxitjen e lehtësimit monetar dhe rritjen e konkurrueshmërisë së eksportit. Megjithatë, ndikimi i kësaj mase në zhvlerësimin e Lekut duket i kufizuar, për shkak të zhvillimit ende të dobët të tregjeve financiare në vend.

Suficiti buxhetor dhe politika fiskale kontribuojnë në forcimin e Lekut

Një tjetër faktor që ka ndikuar në forcimin e Lekut është politika fiskale shtrënguese e ndjekur nga qeveria. Në fund të 5-mujorit të këtij viti, suficiti buxhetor arriti në mbi 39 miliardë lekë, edhe pse me një ulje prej 22% krahasuar me një vit më parë.

Pasojat dhe pritshmëritë

Rënia e euros ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare, në të ardhurat e emigrantëve dhe në të ardhurat e sektorit turistik që operon në euro. Nga ana tjetër, ndihmon në uljen e çmimeve të mallrave të importuara dhe në kontrollin e inflacionit.

Ekspertët mendojnë se nëse trendi vazhdon edhe pas pikut turistik në gusht, do të kërkohen masa të reja për të ruajtur ekuilibrin makroekonomik dhe për të shmangur ndikimet negative në sektorët që varen nga eksportet dhe turizmi. /Versus.al

Tags:

euro leke

Poll