Pas tensioneve të ditëve të fundit në zonën turistike të Thethit, ku përplasjet mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore lidhur me prishjet e ndërtimeve pa leje kanë tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe mediatike, ka ardhur një reagim zyrtar nga Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës.
Në një deklaratë publike, kleri katolik shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar, duke theksuar nevojën urgjente për qetësi, dialog dhe respekt për jetën dhe dinjitetin njerëzor.
“Në këtë moment të ndjeshëm, kërkohet maturi, përgjegjësi dhe ndalimi i çdo forme dhune, pavarësisht nga pala që e ushtron atë,” thuhet në reagimin e Arqipeshkvisë.
Institucioni fetar vë theksin mbi rëndësinë e ruajtjes së paqes sociale dhe dialogut të hapur mes autoriteteve dhe komunitetit lokal, duke nënvizuar se bashkëjetesa harmonike dhe respekti për të drejtën e secilit është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë.
Në përfundim të deklaratës, Arqipeshkvia shpreh lutjen që situata të zgjidhet sa më parë, në mënyrë të drejtë dhe të qetë, pa sjellë pasoja për askënd. /Versus.al







