Banka e Shqipërisë ka përgatitur një rregullore të re, që pritet të sjellë një shtrëngim të fortë në aktivitetin kreditues të institucioneve financiare jobanka, që ndryshe njihen si mikrofinanca. Kjo me qëllim shmangien e abuzimeve në dhënien e kredive me vlera të vogla, që për hir të së vërtetës, nuk jepen vetëm nga mirkofinanca, por pjesa më e madhe e tyre lëvrohen nga sistemi bankar.
Por çfarë parashikon rregullorja e re?
Nuk lejohet dhënia në të njëjtën kohë e më shumë se dy kredive për të njëjtin klient apo huamarrës; nuk do të lejohet më dhënia e kredive me kartë identiteti; do të vendoset tavani në këstet e kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të klientëve; nuk mund të lidhen kontrata të kredisë gjatë fashës orare 22:00 deri në 07:00 etj.
Ndryshimet e hartuara nga Banka e Shqipërisë pritet të godasin jo pak mikrofinancën. Por sa është pesha e këtij sektori në ekonomi? Në treg operojnë aktualisht 10 kompani; numri i klientëve vlerësohet në rreth 200 mijë dhe numri i kredive të disbursuara i kalon 255 mijë. Vlera e kredive përllogaritet për vitin 2023 në 36.5 miliardë lekë, ndërkohë që numri i të punësuarve në mikrofinancë është mbi 1900 persona.
Kë mbështet me kredi sektori i mikrofinancës? Për të kuptuar se kush në finale do të vuajë kufizimet që po vendos Banka e Shqipërisë? Sipas të dhënave nga industria, 80% e kredive iu janë dhënë individëve dhe 20% bizneseve, kryesisht në degë si bujqësia, që kanë pak ose aspak akses në banka.