AKTUALITET /

Kallëzimi i KLSH për tenderin 33 mln lekë, Elvis Roshi paraqitet në SPAK

Kontrolli i Lartë i Shtetit e kallëzoi Roshin për abuzime me prokurimet gjatë kohës që ishte kryetar i bashkisë së Kavajës.

Shkruar nga Versus
Kallëzimi i KLSH për tenderin 33 mln lekë, Elvis Roshi paraqitet
Foto: Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi (i veshur me xhup të zi)

Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku i Kavajës është paraqitur sot në SPAK lidhur me kallëzimin e bërë vite më parë nga KLSH për abuzime me tenderin prej 33 mln lekësh.

Në mars të vitit të kaluar pasi SPAK kishte vendosur pushimin e hetimeve, Gjykata e Posaçme u kërkoi prokurorëve që të hetonin për kallëzimin penal të bërë nga KLSH 10 vite më parë.

Nga një auditim që KLSH kishte kur bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi, u konstatuan një sërë parregullsish në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën e 33 milion lekëve. Kështu Roshi po hetohet për shpërdorim detyre.

Roshi u zgjodh kryebashkiak i Kavajës dy herë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe ato të vitit 2015. Në vitin 2018- Roshi u dënua me 60 orë punë në komunitet duke u bërë zyrtari i parë që prekej nga dekriminalizimi. Shkak për dënimin e tij u bë falsifikimi i formularit të dekriminalizimit në vitin 2016. Versus.al

 

 

Poll