
Marrëveshja me Italinë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm të ardhur nga Afrika kundërshtohet fuqishëm edhe nga Federata e të Rinjve Evropianë, e cila ka njoftuar organizimin e protestave më 1 dhe 2 dhjetor në Tiranë, Gjadër dhe Shëngjin.
Sipas kësaj federate, një marrëveshje e tillë krijon precedentë të rrezikshëm në kontekstin evropian për shjak se minon parimet e lëvizjes së lirë dhe të drejtën për të kërkuar azil.
“Si federalistë evropianë, të përkushtuar për një Evropë paqeje dhe solidariteti, ne nuk mund të pranojmë një sulm të tillë ndaj të drejtave themelore të emigrantëve. Në mënyrë të ngjashme, ne nuk mund të pranojmë vënien në pyetje të gjyqësorit nga qeveria italiane, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian, duke e akuzuar atë për qëllime politike në vend që të garantojë respektimin e shtetit të së drejtës. Deklarata të tilla ushqejnë një narrativë toksike dhe përçarëse të krijuar për të manipuluar opinionin publik dhe rrezikojnë të gërryejnë respektin për sundimin e ligjit, një parim themelor që rregullon bashkëjetesën demokratike dhe funksionimin e një shoqërie të bazuar në drejtësi dhe drejtësi”- thuhet në deklaratën e shpërndarë nga faqja zyrtare e Federatës.
Gjithashtu ata e kanë cilësuar absurd çmimin që kushton ndërtimi i këtyre kampeve për emigrantët.
Aktualisht kampet e ndërtuara në Shëngjin dhe Gjadër janë tërësisht bosh dhe madje janë larguar edhe një pjesë e madhe e personelit italian që kishte mbërritur në Shqipëri për të mundësuar administrimin e këtyre qendrave. Dy mbërritjet e para me emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti rezultuan një dështim pasi gjykata e Romës vendosi rikthimin e tyre në Itali për shkak se i përkasin listës së vendeve të pasigurta, ndryshe nga sa e parashikon marrëveshja e firmosur mes Ramës dhe Melonit.
Ka raportime se qendrat mund të përdoren për mbajtjen e kriminelëve shqiptarë të rrezikshëm të cilët janë dënuar në Itali për krime të ndryshme. Versus.al







