Valmir Hoxhaj, i cili vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, pas 13 ditësh grevë urie ka përfunduar në spital.
I dënuari me burgim të përjetshëm hyri në grevë pas transferimit të tij në burgun e sigurisë së lartë.
Në letrën e dërguar Ministrisë së Drejtësisë i burgosuri Hoxha theksonte se transferimi i tij në këtë burg është i padrejtë pasi fillimish e kanë transferuar nga burgu i Peqinit për në Reç të Shkodrës, por aty e kanë mbajtur vetëm 24 orë dhe më pas e kanë transferuar në Burrel.
I dënuari me burgim të përjetshëm thotë se ky transferim është i padrejtë dhe se argumenti i dhënë nuk qëndron pasi atje nuk i rrezikohet jeta, siç është një ndër arsyet e transferimit.
Valmir Hoxhaj akuzon strukturat drejtuese të burgut të Reçit që sipas tij kanë shkelur ligjin disa herë duke futur brenda burgut sende të paligjshme dhe kjo nuk do të ishte e lehtë më pas.
Ai i bënte thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit të reagojnë dhe ta rikthejnë në burgun e Reçit ku ka edhe vëllain si dhe familjen, pasi deklaron se nënën e ka të sëmurë, në të kundërt – thotë ai, do të vijojë grevën e urisë deri në vetëflijim.
Valmir Hoxha, i dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje, ishte kthyer në tmerr për qytetin e Shkodrës, derisa u arrestua në vitin 2003.
Ai vuan dënimin për veprat penale të vrasjes, plagosjes, grabitjes dhe përdhunimit.







