Janë rikthyer në skenë sërish hakerat e “Homeland Justice”.
Këta të fundit kanë publikuar në një llogari të tyre në Telegram, mjetet e identitikimit për 65 mijë qytetarë shqiptarë.
Në materialin e publikuar në online, përveç emrat, numrin e identifikimit, janë të publikuara edhe vendlindja, vendbanimi dhe numri i telefonit për secilin prej 65 mijë qytetarëve.
Bëhet fjalë për një dokument 1311 faqësh me të dhënat e 65614 shqiptarëve që përfshijnë numrin personal të ID, emër, mbiemër, vendin e lindjes dhe të banimit si edhe numrin e telefonit.
"Nëse dikush thotë: "Unë e adhuroj Zotin" dhe urren vëllanë e tij, ai është hipokrit; sepse ai që vret vëllanë e tij që e ka parë, nuk mund ta dojë Perëndinë që nuk e ka parë.
Gjoni 4:20
#Verë Përvëluese", shkruajnë në mesazhin në Telegram, hakerat e ‘Homeland Justice”.
Versus e ka materialin e plotë, por për ruajtjen e të dhënave të qytetarëve, kemi vendosur të mos e publikojmë.
Kjo nuk është hera e parë që të dhëna sensitive dalin në publik pas dy sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë.
Më herët, hakerat kanë publikuar të dhënat e kreut të SHISH, Helidon Bendo, të dhënat personale dhe udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit, emailet e ish drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të dhënat personale të qytetarëve, numrat e telefonit, targat dhe llojet e automjeteve që posedojnë, dokumente dhe eamile të administratës publike, etj.
Më 10 shtator 2022, Shqipëria u përballë me sulmin e dytë kibernetik, kësaj herë ishte sistemi TIMS, pas sulmit të shërbimeve online qeveritare dhe e-albania.







