Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani ka prezantuar sot para Komisionit të Ligjeve raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit që drejton.
Pas raportimit të bërë nga Metani, deputeti socialist, Plarent Ndreca pati disa kritika sa i takon mungesës së informacionit nga ana e institucionit për pjesën e ankesave të arkivuara mbi problematikat në sistemin e drejtësisë.
“Nuk dimë çfarë kërkesash janë arkivuar, çfarë natyre kanë, çfarë kanë kërkuar këta ankues s’mund të krijojmë një konkluzion të qartë, pas 4 vitesh vijojmë të flasim për pavarësi, rritjen e pavarësisë, rritje kapacitetesh, rritje organizative, jemi akoma në hapin 1, mund të kishte ndodhur në vitin e parë, të dytë. E mirëkuptoj edhe vështirësitë që keni në këtë aspekt, e marr SPAK si etalon, sepse ka edhe ai probleme me burimet njerëzore, por produkti është ai që është, ILD, që garanton të gjithë sistemin e drejtësisë, ne nuk kemi asnjë informacion të saktë se ku jemi dhe çfarë ndodh me problematikat e drejtësisë. Duhet t’i kishte në tavolinë dhe adresim tek këshillat përkatës, unë kam edhe disa komente në lidhje me çfarë drejtoria e monitorimit në Kuvend ka monitoruar”- nënvizoi Ndreca.
Naga ana tjetër, Metani iu përgjigj duke thënë se institucioni që ai drejton nuk ka lidhje me SPAK dhe se sheh më së shumti standartin e hetimeve që kryen dhe jo sasinë.
“Këtë shqetësim e kemi përditë në ILD, kishte disa pasaktësi, unë nuk jam SPAK dhe s’do bëhem asnjëherë, ILD përformon me standarde nga këshillat dhe KPA, kontrolli i jashtëm është për gjëra që ligji dhe Kushtetuta i ka parashikuar, ne s’na impresionon që janë çuar më shumë apo më pak hetime, ne shohim standardin”- u përgjigj Metani.







