Gjykata e Lartë ka lënë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Sipas vendimit, dy ish-drejtorët do të vijojnë qëndrimin në qelinë e paraburgimit. Qato dhe Molla akuzohen për ‘Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë’ dhe ‘Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’. Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tyre për vendimin e dhënë nga Apeli në datë 31 korrik të këtij viti. Apeli i Posaçëm në muajin korrik la në fuqi vendimin e shkallës së parë, për masën ‘arrest në burg’ ndaj Mollës dhe Qatos.
Redi Molla dhe Mariglen Qato prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit së bashku me Taulant Tushen, Julian Zanajn dhe Eglantina Zeren. Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2023, për disa vepra penale si ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘shkelje e barazisë në tendera’, korrupsion dhe refuzim për deklarim të pasurisë.
Sipas prokurorisë së Posaçme, Qato dhe Molla janë pronarë të vërtetë të kompanisë ‘5D’, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera të organizuara nga bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohor të gjashtë viteve, nga 2016 deri në vitin 2022.
Redian Molla gjatë kohës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm të shoqërisë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, në 2016-2020, 5D Konstruksion’ sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në shtatë tendera, të realizuara nga kjo ndërmarrje.
Ndërsa në 2016-2018, Mariglen Qato, ortaku tjetër i 5D, ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 tendera.
Në Korrik, SPAK vuri në sekuestro disa pasuri të paluajtshme të Qatos dhe Mollës dhe familjarëve të tyre. Nën sekuestro u vendos dhe shoqëria tregtare ‘5D Konstruksion’ që dyshohet se është krijuar nga përfitimet e tenderave abuzive, ‘Restur shpk’, si dhe 24% e kuotave të shoqërisë tregtare ‘Mediterranean Investment Group’.







