POLITIKË /

Kërkesa e PD për t’i hequr mandatin e deputetit, Sinaj: E mësova me humor! S’kam fituar asnjë lek nga shteti

Sinaj e konsideron si "këngë gjinkallash e përsëritur", kërkesën e PD për heqjen e mandatit të tij.

Shkruar nga Versus

Kërkesa e PD për t’i hequr mandatin e deputetit, Sinaj: E

Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka reaguar pas kërkesës së bërë dje nga Partia Demokratike për heqjen e mandatit të tij si ligjvënës nën akuzat se bizneset që ka nën zotërim kanë përfituar para publike nga shteti.

Sinaj shkruan se që prej vitit 2017 është dorëhequr nga administrimi i bizneseve të tij duke u përqendruar vetëm tek politika. Më tej ai shkruan se jo vetëm që nuk ka përfituar para nga buxheti i shtetit por rrogën mujore e dhuron për njerëz në nevojë.

“Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.  Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.

Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:

- Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.

- Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.

- Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. 

Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”- shkruan Sinaj në reagimin e tij.

Ditën e djeshme në njoftimin e shpërndarë nga mediat Partia Demokratike pretendonte se sipas verifikimeve në thesarin e shtetit, rezulton se deputeti Sinaj ka përfituar të ardhura deri në miliona lekë nga buxheti i shtetit përmes 9 kompanive të tij private.

Ndërkohë, Sinaj ishte një ndër deputetët që kryeminstri Edi Rama më së shumti e lavdëroi gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS, duke bërë që ligjvënësi të prekej nga fjalët e kreut të ekzekutivit dhe të shpërthente në lot. Versus.al

Poll