Kuvendi i Shqipërisë pritet të ketë sot një seancë të ngjeshur sa i takon diskutimeve dhe debateve lidhur me projektligjet dhe interpelancat e kërkuara.
Në rend të ditës së sotme do të jetë diskutimi për “projektdeklaratën” “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” që nënkupton kërkesën zyrtare të institucioneve shtetërore shqiptare ndaj shtetit fqinj për heqjen e ligjit të luftës të vendosur më 10 nëntor 1940 dhe është ende në fuqi sot. Ky ligj nënkuptonte sekuestrimin e pasurive të shqiptarëve anembanë Greqisë.
Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe dy interpelanca të kërkuara nga opozita, konkretisht me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në interpelancën e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa dhe interpelanca me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.
Po ashtu do të shqyrtohen raporte vjetore të institucioneve të Avokatit të Popullit, Bankës së Shqipërisë, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Autoritetit të Konkurrencës, të Institutit të Statistikave (INSTAT) si dhe të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2023.
Kujtojmë se në seancën e kaluar deputetët “bombarduan” me pyetje kreun e SPAK, Altin Dumanin gjatë raportimit që ky i fundit bëri lidhur me punën e strukturës antikorrupsion gjatë vitit 2023. Versus.al







