Çfarë do të gjeni në brendësi
*Versus.al ka siguruar detaje nga dosja me aktet hetimore ndaj kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa lidhur me një mekanizëm që sipas SPAK çifti i bashkëshortëve e kishte ngritur për përfitimin e shumave materiale nga fondet e bashkisë Tiranë nëpërmjet faturave fiktive. *Pjesë e dosjes është biznesmeni Gentian Sula, të cilit Erion Veliaj i bleu një vilë në zonën “Kodra e Diellit”, ndërsa rezulton se më pas bashkëshortja e biznesmenit është punësuar në ministrinë që drejtohej nga Veliaj. Ndërsa kompania “AGI KONS” rezulton të ketë fituar dhjetëra tendera nga bashkia Tiranë, mes tyre edhe atë të fazës së parë të punimeve për teatrin kombëtar. *Po ashtu një tjetër biznesmen i përmendur në dosje është Sokol Kryeziu, i cili pasi e kishte nisur rrugën e tij si fatorino, më pas bleu kompaninë “Gerard A’ dhe fitoi 20 tendera nga drejtoria në varësi të bashkisë Tiranë. Në dosje, Kryeziu dyshohet se ka kryer pagesa fiktive për piktura ndaj një kompanie që përfitues fundor kishte OJF-në “Harabel” të drejtuar nga Ajola Xoxa. *Sa i takon hetimeve ndaj deputetes së PS Klotilda Bushka, dyshohet se kjo e fundit së bashku me Ajola Xoxën pritën jashtë SPAK-ut njërën prej dëshmitarëve që sapo kishte mbaruar deklarimet dhe në bashkëpunim me njëra-tjetrën asgjësuan telefonin e saj.
SPAK: Si u përdor Bashkia Tiranë për të financuar One Albania – Skema që çoi miliona te familja Veliaj
Nga dosja hetimore e SPAK, del në dritë një skemë financiare e ndërlikuar, ku Bashkia e Tiranës ka luajtur një rol vendimtar.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), rezulton se Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ka përdorur disa kompani të lidhura me të dhe familjen e saj për të kaluar fonde të konsiderueshme, duke përfituar gjithashtu nga procedura të prokurimit publik.
Manipulimi me faturat dhe lidhjet me “One Albania”
Sipas SPAK, Kompania “Gogel”, e cila është në pronësi të kunatit të Ajola Xoxës, Arbër Veliaj ka kaluar një sërë pagesash për kompaninë “Ava Studio”, një biznes që është formalizuar në emër të nënës së Xoxës, por që është kontrolluar de facto nga ajo.
Sipas hetimeve, “Gogel” ka lëshuar fatura për një shumë të konsiderueshme, si për shembull 36.000 euro, me përshkrimin “faturim sipas kontratës”.
SPAK shton se “Gogel” ka si klient kryesor kompaninë e telekomunikacionit “One Albania”, e cila ka përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia e Tiranës, duke qenë fituese e disa procedurave të prokurimit publik.
Hetimet sugjerojnë se ka pasur një lidhje të drejtpërdrejtë mes “Gogel” dhe fitimit të kontratave nga Bashkia Tiranë, duke mundësuar kalimin e fondeve të pajustifikuara përmes një rrjeti financiar të lidhur ngushtë me kryebashkiakun Veliaj.
Pjesë nga dosja e SPAK:
Megjithatë, nga komunikimet rezulton se shtetësja Ajola Xoxa nuk mjaftohet në marrjen e shumave të të hollave vetëm nëpërmjet "Partners Laë" prej kompanive të tjera, por ajo shfrytëzon për këtë edhe shoqëritë e tjera mbi të cilat provohet të ketë pronësi faktike. Konkretisht, kompania "Gogel" që kalon shuma të konsiderueshme të hollash për "Partners Laë" sh.p.k., kalon edhe fonde të konsiderueshme gjithashtu për kompaninë "Ava Studio" sh.p.k., në pronësi ligjore të nënës së shtetases Ajola Xoxa, por e zotëruar de facto nga kjo e fundit. Në total shuma e kaluar në llogari të "Ava Studio" nga "Gogel" shpk është 7.468.692 lekë. Në një rast, ndërsa lëshohet një faturë për vlerën 15.000 Euro për "Gogel" sh.p.k. nga "Ava Studio", duket i çuditshëm përshkrimi i bërë në të, që sipas udhëzimeve të shtetases Ajola Xoxa, ndërsa flet me shtetasen Adela Kondakçiu (shih faqen 825-826), duhet të jetë "produksion video".
Pra, "Gogel" shpk që është një shoqëri e mirëfilltë marketingu, paguan "Ava Studio" shpk, e cila nuk zotëron asnjë kapacitet teknik apo njerëzor për të prodhuar video. Në të njëjtat komunikime, shtetësja Ajola Xoxa, e pyetur nga financierja si duhet bërë përshkrimi në lëshimin e faturës, përgjigjet "si herën e kaluar". Përsëri për kompaninë "Gogel" që zotërohet nga kunati i shtetases Ajola Xoxa, vëllai i kryetarit të bashkisë Tiranë Erion Veliaj, lëshohet një faturë nga kompania "Ava Studio" shpk, për shumën 36.000 euro, me përshkrimin "faturim sipas kontratës". Sipas organit procedues theksohet se kompania "Gogel" rezulton të ketë klient kryesor shoqërinë e telekomunikacionit "One Albania", e cila nga e saj ka përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia Tiranë duke u shpallur fituese e disa procedurave të prokurimit publik./Versus.al
Erion Veliaj i dënuar?! Shënimi i pazakontë në Dosjen e SPAK, si është mbajtur i fshehtë ky fakt gjatë karrierës politike
TIRANE- Një element interesant zbulohet në dosjen e SPAK në vendimin për dhënien e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Versus.al vuri re se Veliaj rezulton se është i dënuar. SPAK e ka shënuar gjendjen e tij gjyqësore të mëparshme si i dënuar, ndërsa le të kuptohet se ky nuk është një lapsus. Me një shënim “1”, sipër mbiemrit i dënuar, SPAK shton se nga verifikimet e bëra në sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Veliaj është i dënuar.
Ky fakt nuk është bërë asnjëherë publik gjatë karrierës 25-vjeçare të Veliajt në politikë./Versus.al
“Pritën dëshmitaren jashtë SPAK”, deputetja Klotilda Bushka dyshohet se ndihmoi Ajola Xoxën për të asgjësuar telefonin

Prokuroria e Posaçme (SPAK) në dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, thekson se bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa kishte kontaktuar dëshmitarët për t’i orientuar lidhur me atë çfarë duhet të thonin nëse pyeteshin nga prokurorët e posaçëm.
Akoma më e rëndë paraqitet situata kur një prej dëshmitareve ka treguar në SPAK sesi Ajola Xoxa dhe deputetja socialiste Klotilda Bushka, e kanë orientuar që të sillet para prokurorëve.
Menjëherë pasi ka dalë nga SPAK, I.G e cila ishte marrë në pyetje si pjesë e hetimit pasuror ndaj Veliajt dhe Xoxës, është takuar me Ajola Xoxën dhe deputeten Bushka sipas orarit të caktuar prej tyre.
Gjatë takimit, Bushka dhe Xoxa i kanë kërkuar telefonin të cilin ia kanë zëvendësuar me një tjetër. Në lidhje me marrjen nën hetim të deputetes Klotilda Bushka e cila është edhe kryetare e komisionit të ligjeve, SPAK ka dyshime se kjo e fundit ka asgjësuar celularin e dëshmitares I.G në shtëpinë e prindërve të deputetes.
Bushka akuzohet për pengim të zbulimit të të vërtetës, ndërsa sot vijoi të drejtonte mbledhjen e komisionit të ligjeve pavarësisht se deputetët e PD i kërkuan që të tërhiqej nga ky pozicion pasi SPAK po e hetonte. Versus.al
Nga fatorino e pastrues në pronar të kompanisë që fitoi qindra mln lekë tendera! Skema e biznesmenit Kryeziu me Veliajn e Xoxën

Mes të dhënave nga dosja hetimore e SPAK ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, renditen edhe detaje sa i takon pagesave fiktive prej të cilave kanë përfituar kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Biznesmeni Sokol Kryeziu ndaj të cilit GJKKO miratoi dje me kërkesë të SPAK masën “detyrim paraqitje”, me kompaninë e tij “Gerard -A” ku kishte punuar më parë si fatorino, ka arritur të fitojë 20 tendera që prej vitit 2018 deri në 2023-in.
Ajo çfarë bie në sy gjatë këtij fragmenti të dosjes është fakti se Kryeziu më parë kishte qenë i punësuar si pastrues në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit nga tetori i vitit 2017 deri në shkurt të 2018-ës. Më pas bleu për shumën 33.4 mln lekësh kompaninë për shërbimet e transportit “Gerard A” ku më parë kishte punuar si fatorino.
Kryeziu më pas ka punuar si drejtor në shoqërinë “Green Line” për një rrogë prej 50 mijë lekësh në muaj. Sipas ndërveprimeve me entet publike, shitjet e kësaj kompanie kapin vlerën 600,076,636 lekë me TVSh, të cilat janë rezultat i procedurave të prokurimit që janë fituar nga shoqëria me entet në varësi të Bashkisë së Tiranës.
Kompania “Gerard A” gjatë 2023-it ka faturuar miliona lekë ndaj bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pastrimit për shërbime të ndryshme. Ndërsa nga periudha 2023 deri në janar të 2024-ës, pronari i kësaj kompanie, Sokol Kryeziu rezulton të ketë blerë piktura nga shoqëria “Nan Gallery” me administrator Daniela Vuksanin, kompani që rezulton të jetë e kontrolluar faktikisht nga Ajola Xoxa me qendër “Harabel”. Në këtë mënyrë SPAK ka arritur në përfundimin e kryerjes së pagesave fiktive nga bashkia Tiranë drejt kompanisë së Kryeziut, me përfundues fundor qendrën “Harabel” të Ajola Xoxës. Versus.al
Dosja e SPAK për Veliajn/ Si kryebashkiaku siguroi vila nga biznesmeni Sula që fitoi tenderin për ndërtimin e Teatrit

Versus.al ka siguruar detaje nga dosja dhe hetimet e SPAK lidhur me kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliaj i cili akuzohet për 9 raste korrupsioni. Mes 5 biznesmenëve për të cilët u caktua masa e detyrim paraqitjes ishte edhe biznesmeni Gentian Sula i kompanisë ndërtuese “AGI KONS”.
SPAK e akuzon Veliajn se është korruptuar nga Sula në këmbim të tenderave të dhënë ndaj kompanisë së tij, ku mes tyre përmendet ai i ndërtimit të Teatrit Kombëtar pas shembjes së godinës së vjetër.
Në dosjen e SPAK thuhet se kallëzuesi Nesti Angoni nuk ekzistonte, por pas verifikimeve të bëra, pretendimet e bëra në denoncimin e tij qëndronin. Ashtu siç ka denoncuar “Nesti Angoni”, Gentiana Sula gruaja e biznesmenit Gentian Sula, është punësuar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale kur në krye të dikasterit u emërua Erion Veliaj në 2013-ën. Sipas kallëzuesit, në kohën që Erion Veliaj u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale, bleu një pasuri të paluatshme-banesë, të ndodhur në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të Gentan Sulës.
Pjesë e hetimeve kanë qenë edhe të dhënat e sistemit TIMS nga ku rezulton se që prej 2004-ës deri në 2017-ën, Erion Veliaj dhe Gentian Sula të kenë udhëtuar me Charter në të njëjtat ditë duke u nisur nga Rinasi.
“U krye këqyrja e Sistemeve TIMS dhe Raporte e Statistika TIMS nga ku rezultoi se: 1) Më datë 13.08.2004, ora 16:46 në Pikën Kufitare Rinas, shtetasi Erion Veliaj ka udhëtuar me linjë e udhëtimit CHARTER. Më datë 13.08.2004, ora 17:08 në Pikën Kufitare Rinas, shtetasi Gentjan Sulaj ka udhëtuar me linjë e udhëtimit CHARTER; 2) Më datë 04.08.2006, ora 12:07 në Pikën Kufitare Rinas, shtetasi Gentjan Sulaj ka udhëtuar me linjë e udhëtimit CHARTER. Më datë 04.08.2006, ora 14:40 në Pikën Kufitare Rinas, shtetasi Erion Veliaj ka udhëtuar me linjë e udhëtimit CHARTER; 3) Më datë 15.08.2017, ora 08:29 në Pikën Kufitare Rinas, shtetasi Erion Veliaj ka udhëtuar me linjë e udhëtimit TURKISH”- thuhet në dosjen hetimore.
Sipas SPAK në faqen e internetit “openprocurment.al” u verifikuan tenderat ku kompania e Gentian Sulës “AGI KONS” kishte fituar nga bashkia e Tiranës. Po ashtu firma “AGI CONS” rezulton fituese në tenderat për rehabilitimin e disa rrugëve që prej vitit 2016.
Disa prej tenderave të fituar nga AGI CONS:
Më datë 15 shkurt 2018 bashkia Tiranë njoftoi se kompania “AGI KONS” ishte shpallur fituese për koncesionin e Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në zonën Tirana1 ku ishte parashikuar ndërtim i 5 shkollave për një periudhë 7 vjeçare.
Më datë 30 prill 2019, bashkia e Tiranës ka njoftuar se për tenderi për rehabilitimin e parkut Rinia është fituar nga kompania “AGI KONS” dhe se të gjithë kompanitë e tjera konkurruese ishin skualifikuar.
Më datë 1 tetor 2022 bashkia Tiranë ka njoftuar për fazën e parë të ndërtimeve për godinën e Teatrit Kombëtar, konktratë me vlerë 1 840 784 139, 00 lekë, për të cilën u shpall fituese sërish kompania e Gentian Sulës.
Veprimet verifikuese të SPAK konfirmuan denoncimet e bëra nga Nesti Angoni sa i takon vilave të blera nga Veliaj dhe të afërmit e tij në Qerret në komplekse të ndërtuara nga “AGI KONS”. Në dosjen hetimore thuhet se Veliaj dhe Xoxa ishin defacto pronarët e vilës në Qerret për të cilat paguanin edhe mirëmbajtës dhe pastrues, pavarësisht se Vila rezultonte në emër të Arbër Veliajt. Versus.al







