Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një operacion i madh po zhvillohet aktualisht në Durrës dhe Tiranë lidhur me 2100 ton mbetje të rrezikshme të kompanisë Kurum, të cilat u kthyen në Shqipëri nga Tajlanda. *Prokuroria e Durrësit ka lëshuar gjithsej 33 urdhër-arreste, nga të cilat 26 janë arrest me burg dhe 6 arrest shtëpie. *Operacioni po vijon për ekzekutimin e masave të sigurisë në tre qytete: Tiranë, Elbasan dhe Durrës *Mbetjet e rrezikshme, të vendosura në 102 kontejnerë me gjithsej 2100 ton, kishin destinacion Tajlandën, por u kthyen në vend në nëntor 2024 pas një sinjalizimi nga organizata mjedisore Basel Action Network.
Dosja/ Si ''Kurum'' transportoi 2000 ton mbetje të rrezikshme duke u ndryshuar emërtimin, pronari turk: Duhet të ketë qenë lapsus

Versus.al ka siguruar detaje të reja lidhur me dosjen e prokurorisë së Durrësit me urdhër të të cilës u firmosën 33 masa sigurie ndaj personave të përfshirë në skandalin e kompanisë turke ‘’Kurum’’ me transportin e mbetjeve të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Në dosje thuhet se kompania Kurum ka shitur mbetje të dëmshme tek kompania ‘’Sokolaj’’ duke u përpjekur t’i kamuflonte me emërtime që kanë ndryshuar në vazhdimësi me qëllim humbjen e gjurmëve. Sipas organit të akuzës këto 2 kompani kanë bashkëpunuar duke fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë duke iu shmangur detyrimeve të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.
Më 3 tetor 2023 kompania ‘’Kurum’’ ka lëshuar faturë për kompaninë ‘’Sokolaj’’ për 2 mijë ton mbetje me përshkrim ‘oksid zinku’. Më pas ky përshkrim është korrigjuar në ‘oksid hekuri’. I pyetur për këto 2 fatura të lëshuara nga Kurim, administratori turk Erdal Demir është përgjigjur se duhet të jetë bërë ndonjë lapsus për të cilin do të ngarkojë financën të japë shpjetime. Ndërsa drejtori i shitjeve të kompanisë, Shaban Hyseni ka deklaruar se për korrigjimin e faturës e kishte telefonuar turku Erdal Demiri i cili i kishte kërkuar prerjen e faturës për kompaninë ‘’Sokolaj’’ duke i përcaktuar sasinë, çmimin dhe produktin. Sa i takon mospërputhjen e llojit të mbetjeve që transportoheshin, Hyseni ka deklaruar se mbase mund të jetë bërë ndonjë gabim pasi ‘’Sokolaj’’ ka blerë më parë ‘oksid zinku’.
Shtetasja Gjovana Sokolaj ka qenë në dijeni të faktit se fatura korigjuese ishte e faslifikuar pasi edhe për llogari të subjektit Sokolaj në sistemine tatimeve dhe e deklaruar prej saj në librat e blerjes, është deklaruar fatura Nr.88/2023 datë 03.10.2023 të "Kurum International" sh.a, me kod operatori cc924cg033, artikulli është “Oksid zinku (në thasë) 2000t" me blerës Sokolaj sh.p.k. dhe asnjë faturë korigjuese.
Siç rezulton nga sa më sipër, në faturat e sipërcituara subjekti Sokolaj i jep artikullit të blerë nga Kurum si "oksid zinku", një përshkrim të ri "Oksid Hekuri (Zn)". Më pas shoqëria GS Minerals d.o.o. (në pronësi të Gjovana Sokolaj) ia shet mallrat shoqërive Terry Thriving Trade Limited nga Hong Kongu dhe North Creek Resource PTE. Limited Singapor sipas faturave të sipërcituara me përshkrimin "HQ IRON OXIDE". Nga këto transaksione të GS Minerals rezulton se:
-Artikulli Oksid Hekuri (Zn) ndryshon sërish përshkrim duke u paraqitur si "HQ IRON OXIDE"; -Sasia prej 2.816.300 kg bruto shitet në vlerën prej 140.815.00 USD, me të njejtën vlerë që Sokolaj ja ka shitur Gs Minerals. Versus.al
Saga disa mujore e 2800 tonë mbetjeve të rrezikshme, kur Kurum deklaronte se nuk kishte eksportuar asnjëherë lëndë kancerogjene

Më 5 gusht 2024, organizata mjedisore amerikane “Basel Action Network” ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh e linjës Maersk, e cila peshonte rreth 175 mijë ton, ishte zhdukur nga radarët në fund të korrikut pranë Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi që organizata kishte bërë tek autoritetet vendase.
Sipas të dhënave të “BAN”, anija ‘Maersk Campton’ dhe anija tjetër ‘Maersk Candor’ kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, të cilat vinin nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) dhe kishin destinacion Tajlandën.
Organizata njoftoi se kjo nuk ishte dërgesa e parë e këtij lloji, pasi një transport i ngjashëm u bllokua më herët këtë vit nga Dogana kineze në Fangcheng.
Autoritetet portuale në Singapor bllokuan kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe parashikuan kthimin e tyre në Durrës në muajt e ardhshëm.
Hetimet identifikuan kompaninë “Sokolaj” shpk si eksportuese e kontenjerëve dhe “Kurum International” sh.a si burimin e mbetjeve.
Megjithatë, më 21 gusht 2024, kompania Kurum mohoi përfshirjen në eksport, duke deklaruar se:
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme; ngarkesa për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga ne.”
Por më 27 tetor 2024, një ditë para se anija të shfaqej pranë portit të Durrësit, Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e kontenjerëve.
Hetimet përfshinë edhe OLAF në Bruksel dhe që nga kthimi i ngarkesës, mbetjet mbaheshin në Porto Romano, duke mbajtur në alarm autoritetet mjedisore dhe institucionet shqiptare./Versus.al
Kush është administratori turk i Kurum, Erdal Demir i arrestuar për aferën e mijëra ton mbetje toksike që helmuan disa shtete

Më shumë se një vit pas sekuestrimit të 2100 ton mbetjeve të rrezikshme në portin e Durrësit, Prokuroria e Durrësit ka firmosur 33 urdhër-arreste ndaj drejtuesve dhe administratorëve të kompanive “Kurum International” dhe “Sokolaj”, si dhe disa zyrtarëve shtetërorë të përfshirë në skemë.
Në qendër të hetimeve është kompania turke “Kurum International”, e cila operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është një nga furnizuesit kryesorë rajonalë të shufrave të hekurit për ndërtim.
Administrator i kompanisë është Erdal Demir, i cili bashkë me administratorin me prokurë Yusuf Sezai Kurum akuzohen për kontrabandë me mbetje të rrezikshme, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Nga kompania shqiptare “Sokolaj”, në pranga kanë rënë pronarja Gjovana Sokolaj, administrator Doni Sokolaj dhe ish-administratorja Olizana Pemati. Hetimet tregojnë se kompania ka kryer falsifikime për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve, duke shmangur detyrimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare.
Ekspertiza e kryer në Itali ka konfirmuar se mbetjet përbëjnë pluhur të furrës elektrike të çelikut (EAF dust), të klasifikuara si të rrezikshme dhe me përmbajtje të lartë të zinkut, hekurit, plumbit dhe bakrit.
Hetimet tregojnë se dy kompanitë, pavarësisht refuzimit të autorizimit për eksport nga Ministria e Mjedisit, kanë organizuar eksportin e paligjshëm drejt Tajlandës, duke i shpërndarë më pas përmes firmave të tjera, përfshirë GS Minerals d.o.o në Kroaci dhe kompani offshore në Hong Kong dhe Singapor.
Përveç transaksionit me Sokolaj, Prokuroria e Durrësit akuzon Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, duke përfshirë transferimin e një sasie të madhe mbetjeve drejt kompanisë “Alliance Resource” dhe trajtimin e skorjeve përmes kompanisë Bajrami N.
Sipas Prokurorisë, Alliance Resource nuk ka kapacitetet dhe kushtet e nevojshme për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, ndërsa Bajrami N nuk ka leje për përpunimin e skorjeve, të cilat nuk dihet ku kanë përfunduar./Versus.al
EMRAT/ Mbetjet toksike: Nga pronarja e “Sokolaj” tek drejtues të “Kurum”, Prokuroria firmos 33 masa sigurie!

Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i përbashkët i Policisë së Durrësit dhe Tiranës, i zhvilluar për zbatimin e masave të sigurisë lidhur me çështjen e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum. Hetimet tani përfshijnë edhe rolin e disa zyrtarëve shtetërorë.
Sipas burimeve nga hetimi penal, janë dhënë gjithsej 33 masa sigurie, të cilat përfshijnë jo vetëm drejtues dhe përfaqësues të kompanisë “Kurum”, por edhe funksionarë të institucioneve publike, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Doganën e Durrësit.
Lista e plotë:
Erdal Demir, administratori i “Kurum International”, arrest me burg
Yusuf Sezai Kurum, arrest me burg
Gjovana Sokolaj, arrest me burg
Doni Sokolaj, arrest me burg
Arta Dollani arrest shtëpie
Olizana Pemati, arrest me burg
Mujo Ilazaj, arrest me burg
Rami Bunga, arrest me burg
Harun Sarica, arrest me burg
Arif Shkalla, arrest me burg
Shaban Hyseni, arrest me burg
Mirjeta Zotaj, arrest shtëpi
Mikail Hila, arrest me burg
Mbarime Koroci, arrest me burg
Nazif Bajrami, arrest me burg
Andon Prifti, arrest me burg
Petrit Qosja, me burg
Julian Kapedani, arrest me burg
Indrit Likaj, arrest me burg
Helidon Lila, arrest me burg
Edmond Voda, arrest me burg
Shkëlqim Jakupi, arrest me burg
Florian Çimo, në arrest me burg
Gazmend Sina, arrest me burg
Ingo Hesse, arrest me burg
Dritan Seferaj, arrest me burg
Kledina Skendo, arrest shtëpiak
Evis Mellonashi, arrest shtëpiak
Kejdi Ahmetaj, arrest me burg
Iva Musa, arrest shtëpie
Xhulio Golgota, arrest me burg
Hetimi lidhet me eksportimin e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës, të cilat u kthyen më pas në Shqipëri pas një sinjalizimi të bërë nga Rrjeti i Bazelit, që monitoron lëvizjen ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.
Prokuroria dyshon se në këtë proces janë shkelur rregullat ligjore dhe procedurat mjedisore, ndërsa po hetohet roli konkret i zyrtarëve të AKM dhe Doganave në dhënien e autorizimeve dhe lehtësimin e procedurave për eksportin e mbetjeve./Versus.al
33 masa sigurie për mbetjet e rrezikshme të “Kurum” në kontejnerë! Aksion i policisë për arrestimin e të dyshuarve, mes tyre drejtues të kompanisë

Policia e Durrësit dhe Tiranës mësohet se ka ekzekutuar masat e sigurisë të vendosura nga gjykata në lidhje me skandalin e mbetjeve industriale të kompanisë KURUM.
Me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës, janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje.
26 prej tyre janë arrestuar, mes të cilëve 5 doganierë, ndërsa 7 persona janë vendosur në arrest shtëpie.
Ashtu siç Versus.al shkroi dy ditë më parë skandali ka marrë një kthesë alarmante pasi analizat laboratorike të kryera jashtë vendit tregojnë se mostrat e sekuestruara nuk janë thjesht toksike, por potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut.
Kjo aferë e ndyrë ka shkaktuar tensione të forta institucionale, me përpjekje të vazhdueshme për të hedhur përgjegjësinë te të tjerët një "dosje e nxehtë" që askush nuk donte ta prekte!
Skandali mori përmasa ndërkombëtare kur dy anije të kompanisë Maersk, Campton dhe Candor, u ngarkuan më 4 korrik 2024 në Portin e Durrësit me rreth 100 kontejnerë (816 tonë) pluhur furre elektrike shkrirjeje çeliku, të pasura me kadmium dhe krom kancerogjen.
Autoritetet tajlandeze, në bashkëpunim me Rrjetin e Bazelit dhe organizatën Basel Action Network, i ndaluan anijet në det dhe urdhëruan kthimin e menjëhershëm mbrapsht drejt Evropës.
Sipas raportimeve të dy viteve më parë “Bangkok Post” dhe Bloomberg, Maersk Candor u lokalizua pranë Afrikës së Jugut më 9 gusht, ndërsa Campton po drejtohej drejt Singaporit, por të dyja u bllokuan para destinacionit Laem Chabang në Tajlandë.
Kontejnerët u kthyen në portin e Durrësit në fund të tetorit 2024 dhe, pas rreth dhjetë ditësh qëndrimi në Radë, u zhvendosën në zonën e Porto Romanos./Versus.al

