Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, zbatoi sot masën “detyrim paraqitje në SPAK” të caktuar nga GJKKO për aferën “Partizani”. *Ashtu si herët e kaluara, dhjetëra mbështetës të tij u mblodhën para Prokurorisë së Posaçme përkundër paralajmërimeve që Berisha pati ndaj Ramës sa i takon mbështetësve të Veliajt që rrethuan godinën e institucioneve të posaçme. *Kryedemokrati lexoi para mbështetësve të tij përgjimet ku sipas tij shfaqet ministri Taulant Balla ku paralajmëron shkrirjen e një komisariati. Ai deklaroi se Balla ishte për t’u arrestuar 4 muaj më parë, por u la i lirë falë ndërhyrjes së Ramës. *Ndërsa për çështjen e Veliajt, tha se po bëhet një propagandë nga qeveria për të fshehur vjedhjen e bërë nga dhjetëra kompani të krijuara nga familjarët e kryebashkiakut. Sipas Berishës, e gjithë dosja po përqendrohet tek gardëroba e bashkëshortes së kryebashkiakut.
"Do e shkrij komisariatin nga Boerët", Berisha lexon përgjimet për Ballën: Ishte për t'u arrestuar 4 muaj më parë, e mbrojti Rama
“Taulant Balla ishte për t’u arrestuar 4 muaj më parë”. Kështu deklaroi kryedemokrati Sali Berisha para Prokurorisë së Posaçme ku lexoi përgjime të tjera nga dosja për ministrin e Marrëdhënieve me Parlamentin.
Berisha tha se në përgjimet e zbardhura, Balla ka paralajmëruar për të shkrirë një komisariat policie.
“Kam sjellë dëshmi tjetër të krimeve të tij të shëmtuara. Me datë 13.4.2020 target informon përdoruesin me pin …” se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do dëbojë të gjithë ata të lidhurit me Boerët”- lexoi Berisha para gazetarëve.
Ndërsa deklaroi se arrestimi i Ballës pritej që para 4 muajve, por kryeministri Edi Rama ndërhyri për ta mbrojtur.
“Pasi mori përsipër arrestimin e prokurorëve dhe gjykatësve . merr përsipër të pastrojë komisariatin ose nga policët e ndershëm që luftojnë krimin, ose ushtarë të palës tjetër. Pra ka thënë se do të dëbojë të gjithë Boerët që mund të kenë qenë banda rivale ose policë të ndershëm që nuk zbatojnë urdhrat e bandave, por luftojnë krimin. Për këtë unë akuzoj këta anëtarë të SPAK-ut që flejnë mbi dosjet e krimit. E vërteta është se 4 muaj më parë Taulant Balla ishte për t’u arrestuar, por u mbrojt nga Edi Rama dhe vazhdon shëtit si simbol i krimit”- shtoi kreu i PD.
Për deklaratat e Berishës para SPAK, ku kryedemokrati lexon para gazetarëve përgjimet ku sipas tij shfaqet Taulant Balla, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar llogari kreut të SPAK, Altin Dumani lidhur me rrjedhjen e informacioneve të hetimeve. Versus.al
“Pse u zhduk vëllai i Veliajt?”, Berisha para SPAK: Propaganda qeveritare e përqendron çështjen tek të brendshmet e Xoxës
Kryedemokrati Sali Berisha mbajti para SPAK-ut fjalimin ku dënoi sërish rrethimin që mbështetësit e Erion Veliajt i bënë godinës pak ditë më parë. Ai tha se qeveria po përpiqet të propagandojë në mënyrë që krimet e Veliajt të përqendrohen vetëm tek vlera e gardërobës së Ajola Xoxës.
“Ky akt antikushtetues do ju regjistrohet atyre dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore që mos t’u shkojë mendja kurrë të sulmojnë pushtetin tjetër. Unë e kuptoj se çështja kryesore sot është çështja e Lali Vjedhësit ose lal faqeziut. Po bëhet gjithçka nga propaganda qeveritare për ta katandisur çështjen tek të brendshmet dhe të jashtmet e Jolkës. Ky është mashtrim i madh që u serviret shqiptarëve. U them se gardëroba e Ajolës e barabartë me Laja Assadin e cila kur zbriti nga aeroporti në Moskë, iu llogarit gardëroba 1 mln. Gardëroba e e Ajolës është e ndërtuar e gjitha nga vjedhjet e taksave të qytetarëve”- deklaroi Berisha.
Më tej ai tha se Arbër Veliaj të cilit iu sekuestrua celulari nga SPAK, nuk rezulton me masë arresti dhe tanimë nuk po përmendet aspak. Ndërkohë duke folur për këtë çështje, Berisha tha se Rama duhet të japë me urgjencë dorëheqjen nga posti i kreut të qeverisë.
“Propaganda e qeverisë do të fshehë dhjetëra kompani të krijuara nga familjarët e Erionit. Ai vëllai i Erionit pse u zhduk? U bë i penduar ai apo jo? U zhduk Abri, nuk u përmend më.
Me dhjetëra kompani, me emra që as nuk i imagjinoni. Të gjitha vidhnin para për Ajolën dhe Erionin në bashki, ministri. Madje kanë vjedhur paratë e taksapaguesve evropianë e amerikanë. I them Edi Ramës jep urgjent dorëheqjen për paratë e vjedhura. Atje po bëhet një audit dhe vendi më i lakuar për vjedhje të fondeve të USAID nga Soros, është Shqipëria, me Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Edi Rama të kthejë paratë e vjedhura. Këto që keni dëgjuar janë vetëm maja e ajsbergut për ata që kanë vjedhur paratë e taksapaguesve amerikanë”- u shpreh Berisha. Versus.al
VIDEO/ I rrethuar nga truprojat, Berisha mbërrin në SPAK
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK për të respektuar masën “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO për aferën “Partizani”.
Pavarësisht paralajmërimit ndaj mbështetësve të Veliajt që u mblodhën para godinës, edhe Berisha mblodhi sot një numër të konsiderueshëm qytetarësh që e presin jashtë për të dëgjuar fjalimin e tij. Pasi firmosi për masën e detyrimit të paraqitjes, Berisha doli jashtë ambienteve të Prokurorisë ku mbajti edhe fjalimin e tij të zakonshëm. Versus.al
Berisha paraqitet sot në SPAK, thirrje strukturave të PD të mblidhen para Prokurorisë së Posaçme
Ditën e sotme kryedemokrati Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga GJKKO për hetimet e aferës “Partizani”.
Ashtu si në paraqitet e mëparshme, edhe këtë herë Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të jenë të pranishëm në ambientet e jashtme të Prokurorisë së Posaçme ku mban fjalime.
“Të dashur miq. Nesër ditën e Hene ne ora 9:30 serish Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do jete ne dyert e SKAP it Ju lutem te mobilizojme strukturat e degëve per te qenë të gjithe aty në ora 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit”- ka qenë mesazhi drejtuar strukturave të PD-së ditën e djeshme.
Ndërsa disa ditë më parë, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama që të mos organizonte sërish protestë para SPAK-ut për arrestimin e Erion Veliaj, duke i theksuar se do të përballej me një kundërprotestë. Versus.al







