Live Updates /

‘Flasim’/ Rama: Protestat nuk më trembin, nuk pranoj sharlatanë! ‘The Albanian Files’, kryeministri:Tekst autoironik, nuk është libri im!

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

3 Postime
1 ORE ME PARE

“Prej 6 vitesh pa zgjidhje”, Rama publikon mesazhin e qytetarit: Kjo protestë më intereson, të tjerët ushqehen me përçarjen

‘Flasim’/ Rama: Protestat nuk më trembin, nuk pranoj
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në podcastin “Flasim” mesazhin e një qytetari, i cili prej gjashtë vitesh kërkon zgjidhje për pallatin e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, duke e cilësuar rastin si një shembull të dështimeve të administratës dhe arsyeve që i shtyjnë qytetarët të protestojnë.

Qytetari, Amos Mezuraj, rrëfen se së bashku me 12 familje të tjera ka ndjekur prej vitesh të gjitha rrugët institucionale për të zgjidhur problemin, por pa marrë një përgjigje përfundimtare. Ai shprehet se zhgënjimi i ka çuar drejt protestës dhe se, për shkak të mungesës së zgjidhjes, fajin e adresojnë te kryeministri.

Në përgjigje, Rama tha se kjo është protesta që ai e konsideron legjitime, pasi buron nga hallet reale të qytetarëve dhe jo nga interesa politike apo manipulime.

“Tani, unë dua ta them shumë qartë dhe shumë drejtpërdrejt: kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time. Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit. Kjo më zemëron. Dhe nëse do të isha në vendin tënd, i dashur Amos, pas gjashtë vitesh pritje, me shumë gjasa edhe unë do të ndihesha pjesë e asaj proteste”, u shpreh Rama.

Kryeministri pranoi se administrata ka mangësi dhe se raste të tilla nuk duhet t'i detyrojnë qytetarët t'i drejtohen kryeministrit për zgjidhjen e problemeve të përditshme.

Ai shtoi se mesazhin e qytetarit e kishte përcjellë pranë Bashkisë së Tiranës edhe një vit më parë.

Rama u ndal edhe te protesta në tërësi, duke deklaruar se nuk duhet lejuar që hallet reale të qytetarëve të përdoren nga grupe apo individë që, sipas tij, synojnë të mbajnë gjallë konfliktin.

“Ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para”, deklaroi Rama.

Në përfundim, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të mos heqin dorë nga kërkimi i të drejtave të tyre dhe premtoi se do të vijojë të ndjekë rastet që i adresohen, duke theksuar se problemet e administratës duhet të korrigjohen dhe jo të përdoren për të thelluar përçarjen./Versus.al

1 ORE ME PARE

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama: Nuk pranoj sharlatanë apo hipokritë të më thonë se si bëhet Shqipëria

‘Flasim’/ Rama: Protestat nuk më trembin, nuk pranoj
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në vend, duke deklaruar se i konsideron të ligjshme shqetësimet e qytetarëve që protestojnë për probleme reale, por kundërshton ata që, sipas tij, përdorin situatën për manipulim apo për qëllime të tjera.

Në podcastin “Flasim”, Rama tha se jo të gjithë protestuesit marrin pjesë për të njëjtat arsye, duke përmendur ndikimin e rrjeteve sociale, impulseve nacionaliste dhe manipulimeve si faktorë që, sipas tij, ndikojnë në mobilizimin e një pjese të tyre.

“Unë dua ta them shumë qartë dhe drejtpërdrejtë, kjo është protesta që mua më intereson, që më zemëron, por po ashtu më motivon të vijoj luftën time. Nuk më zemëron protesta e sikureve apo shtirjeve, ajo më neverit. Kjo më zemëron. Nëse nuk do të isha në këtë pozicion, do të isha edhe vetë në protestë. E ndjej zemërimin tënd. Jo çdokush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka nga ata që nuk i çon aty like, influencer, impulset e verbra nacionaliste, manipulimet apo misionet për të manipuluar të tjerët, por një hall që kthehet në zemërim e më pas shpërthen”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se ndjek çdo mesazh që i dërgohet nga qytetarët, por theksoi se nuk pranon që, sipas tij, persona të cilët i cilësoi si “sharlatanë”, “hipokritë” apo të nxitur nga të tjerë, t'i diktojnë mënyrën se si duhet të drejtohet vendi.

“Çdo mesazh që më vjen në telefon unë e ndjek. Ata që më janë vënë pas do të më gjejnë pas, në aspektin e debatit. Nuk pranoj që çdo sharlatan apo njeri i futur nga të tjerë, apo hipokritë që i kam parë në punë, të marrin mikrofonin e të më thonë se si bëhet Shqipëria. Këtë nuk e pranoj”, deklaroi Rama./Versus.al

2 ORE ME PARE

“The Albanian Files”, Rama u përgjigjet kritikëve: Nuk është libri im, por një projekt editorial i pavarur

‘Flasim’/ Rama: Protestat nuk më trembin, nuk pranoj

Kryeministri Edi Rama e hapi episodin e radhës të podcast-it “Flasim” me librin “The Albanian Files” në duar, duke iu përgjigjur kritikave që janë bërë ndaj këtij botimi.

Ai e cilësoi librin si një projekt editorial të pavarur, që përmbledh punën dhe kontributet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar që kanë zhvilluar projekte në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.

Sipas Ramës, libri është bërë objekt sulmesh dhe akuzash të pabaza, të cilat, sipas tij, burojnë nga klima e krijuar pas protestave të fundit.

“Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar që i lidh së bashku në gjithë faqet e librit, Shqipëria. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin. Një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit... The Albanian Files është vendosur nën shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe as i botuar prej meje, unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës... Është diçka fenomenale... por t’i qepesh një botimi të tillë dhe të kapesh me një tekst autoironik të një arkitekti... është kulmi!”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se autorët dhe pjesëmarrësit në botim kanë pasur liri të plotë editoriale dhe se përmbajtja e librit nuk është diktuar nga askush.

“Të gjithë pjesëmarrësit kanë pasur pavarësi të plotë, kanë caktuar reflektimet. Letra e hapur e De Graff është dëshmi e kësaj autonomie. Edhe titulli është ironi për një Shqipëri që vjen nga një kohë dosjesh, ndërkohë që sot dosjet janë të tëra të hapura”, deklaroi Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll