Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e sotme, Partia Demokratike dorëzoi kërkesën në Kuvend për shkarkimin e Bajram Begajt nga posti i presidentit të Republikës me argumentin se ka shkelur kushtetutën në 7 raste. Me anë të një deklarate pas përfundimit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve, Gazment Bardhi renditi pretendimet e PD, ndërsa shtoi gjithashtu se presidenti Begaj paguhet edhe si mjek nga një spital privat, gjë që Kushtetuta nuk e lejon. *Sa i takon socialistëve, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje kushtetute dhe se nuk do të shqyrtohet kërkesa e PD për shkarkimin e tij. *Për këto akuza të PD, reagoi edhe presidenca me anë të një deklarate zyrtare ku pretendimet konsideroheshin të pavërteta dhe ftohej Kuvendi që të hetonte. *Pas këtij reagimi, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi publikoi disa dokumente të cilat sipas tij tregonin se edhe djali i presidentit, paguhej me 30 mijë euro në vit nga kompania e sigurimeve të presidencës, ndërkohë që ai vetë është mjek në një spital në Gjermani.
''Djali i Begajt merr 30 mijë euro në vit'', Bardhi nxjerr dokumentin: E paguan kompania e sigurimeve të presidencës
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar mbi deklaratën e lëshuar nga presidenca ku mohoheshin akuzat e bëra prej tij ndaj Bajram Begajt dhe i kërkohej parlamentit të hetonte.
Bardhi ka publikuar disa dokumente në të cilat sipas tij provohet se djali i Begajt paguhet me 30 mijë euro në vit pa qenë fare në Shqipëri, ndërsa ndërkohë punon si mjek në Gjermani. Sipas Bardhit, djali i presidentit paguhet nga kompania e sigurimeve me të cilën presidenca ka lidhur konkratë prokurimi.
Reagimi i Bardhit:
Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë!
Çfarë e pengoi Presidentin të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!
Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit. Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.
Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit. Versus.al
Akuzat e PD se paguhet si mjek, reagon presidenti Bajram Begaj: Parlamenti të hetojë!
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas akuzave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, se ai rezulton i punësuar në një klinikë private prej ku edhe merr pagë.
Begaj thotë se nuk komenton nismat politike të partive, lidhur me procedurën e PD-së për inicimin e shkarkimit të tij, por shton se akuzat e PD janë të pavërteta, dhe se ai është i hapur për një hetim profesional dhe transparent.
Reagimi i Presidencës:
Publiku është njohur sot me një nismë të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjerës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.
Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese.
Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur.
Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta.
Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetësdhe interesit të publikut.
Videoja ku deputeti i PD-së akuzon Begajn se paguhet dhe si mjek:
View this post on Instagram
“Fare fare, Begaj s’ka shkelje”, Balla ironizon opozitën: Më thanë se duan të shkarkojnë dhe Pëllumb Pilinçin

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se kërkesa e bërë nga PD për shkarkimin e Begajt me argumentin se ka shkelur kushtetutën, nuk do të votohet. Sipas tij, presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje, pavarësisht se dekretoi datë për zgjedhjet në Tiranë ndërkohë që Kushtetuesja shqyrtonte ankimin e Veliajt.
Madje më tej, ai edhe e ironizoi kërkesën e PD për shkarkimin e Begajt duke thënë se kishte dëgjuar se donin të shkarkonin edhe Pëllumb Pilinçin, një personazh që pretendon se ka krijuar qeveri teknike.
“Fare fare, në vlerësimin tim presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje. A ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim? më thanë që kanë bërë kërkesë gati për shkarkimin e zotit Pëllumb Pilinçit, ta shkarkojnë dhe atë”- tha Balla. Versus.al
PD dorëzon kërkesën për shkarkimin e Begajt, Bardhi: Asnjë president nuk ka kryer shkelje të tilla
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Bajram Begajt nga posti i presidentit të Republikës duke e akuzuar këtë të fundit se ka kryer një sërë shkeljesh kushtetuese ndërkohë që duhej të ishte garantuesi i zbatimit të Kushtetutës.
Bardhi e nisi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Begajt për organizimin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Bardhi tha se veprimet e Begajt ishin shkelje e autonomisë së pushtetit vendor dhe e kushtetutës.
“Ka ndërhyrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore dhe ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Pas vendimit të mbledhjes së gjyqtarëve që pezullonte dekretin e presidentit nën dyshimet serioze për shkelje të kushtetutës dhe për më tepër përmes vendimit të mbledhjes së gjyqtarëve për ta kaluar kërkesën e kryebashkiakut për shqyrtim, Kushtetuesja i ka dhënë shpjegim edhe pretendimit absurd të Begajt”- tha Bardhi.
Më tej tha se Begaj kishte tentuar të ndërhynte në Gjykatën Kushtetuese sa i takon kohëzgjatjes së mandateve të anëtarëve të saj. sipas Bardhit, asnjë president i mëparshëm nuk ka kryer shkelje të tilla ndaj kushtetutës.
"Shkelja e rëndë e dytë që është kryer nga presidenti ka të bëjë me ndërhyrjen brutale antikushtetuese në çështjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Ka kërkuar ndërprerjen antikushtetuese për mandatet e anëtarëve të kësaj gjykate duke krijuar pasiguri juridike në ushrimin e detyrës nga ana e tyre. në 30 janar 2025, Begaj pa e patur në kompetencë ka kërkuar nga Gjykata deklarimin e mbarimit të mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shkresa e tij ka vendosur në pikëpyetje kohëzgjatjen e afateve të mandateve të të gjithë anëtarëve. Madje ka uzurpuar edhe kompetencat e Kuvendit duke ftuar Kushtetuesen të shprehet mbi kohëzgjatjen e mandateve për anëtarët që janë emërtesë e Kuvendit. Asnjë president i republikës nuk ka guxuar kurrë më parë që të cënojë mandatin e anëtarëve të Kushtetueses”- shtoi kreu i grupit parlamentar të PD.
Mes pretendimeve të tjera të deputetit ishin edhe ndërhyrja e Begajt në procesin zgjedhor të 11 majit si dhe dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore. Versus.al







