Kryeministri Edi Rama shkaktoi një ‘lum’ vëmendjeje nga mediat e huaja për Shqipërinë pasi njoftoi se vendi do të kishte ministren e parë virtuale ‘Diella’ e cila do të kujdesej për tenderat, në mënyrë që të mos kishte favorizime për kompani të caktuara.
Me këtë lajm u mendua se shërbimi online për qytetarët do të ishte edhe më i lehtë dhe i aksesueshëm, por së fundmi Këshilli i Ministrave ka vendosur që disa prej shërbimeve të marra në platformën ‘e-Albania’ të jenë me pagesë.
Si shqiptarët ashtu edhe shtetasit e huaj për një shërbim në e-Albania do të duhet të paguajnë. Për shembull vetëm tarifa e nënshtrimit elektronik pritet t’u kushtojë qytetarëve 2 mijë lekë në vit ose 20 mijë lekë të vjetra. Ndërsa për bizneset tarifa është edhe më e lartë.
Vendimi i qeverisë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet elektronike, në favor të organeve dhe të institucioneve të administratës publike, subjekteve private dhe qytetarëve, ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
2. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.
3. Për subjektet private, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
4. Për shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e huaj, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 2 000 (dy mijë) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
5. Për nëpunësit e administratës në institucionet publike me vetëfinancim, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.
6. Pagesa e tarifave të përcaktuara në këtë vendim kryhet në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”.
7. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “a” e “c”, të pikës 3, dhe të pikave 4 e 5, të këtij vendimi, realizohen në marrje të çdo shërbimi elektronik.
8. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “b” e “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, realizohen periodikisht çdo muaj për numrin e transaksioneve të kryera gjatë asaj periudhe on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kryerja e tyre shihet në kohë reale.
9. Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
10. Vendimi nr.35, datë 22.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, shfuqizohet.
11. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA







