Çfarë do të gjeni në brendësi
*Komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi për ‘Sterilizimin’ dhe ‘Check Up’-in zhvillon seancën e dytë ku dëshmitar është thirrur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili ditën e djeshme nuk u mor në pyetje për asgjë për shkak se i gjithë debati u përqendrua në kërkesën e tij të përdorimit të videove dhe fotove në deklaratën e kontekstualizuar. *Ashtu si ditën e djeshme, Beqaj u shoqërua nga burgu dhe mbërriti në kryesinë e Kuvendit me pranga në duar të cilat i mbuloi me një xhaketë. *Ndërkohë sot opozita ka dorëzuar një dokument me kërkesë marrjen në pyetje të kryeministrit Edi Rama në cilësinë e kreut të ekzekutivit i cili firmosi për koncesionet dhe të biznesmenes Vilma Nushi për të cilën ata pretendojnë se ka përfituar 1.5 mln euro vetëm dividentë nga koncesionet ku mori pjesë kompania e saj. *Afati i fundit i komisionit hetimor është të enjten, ndërsa opozita ka kërkuar shtyrjen e tij me arsyetimin se nuk janë pyetur dëshmitarët më të rëndësishëm. Mazhoranca e ka hedhur poshtë këtë kërkesë duke pretenduar se nuk është serioze që afati të shtyhej për herë të tretë.
PD kërkoi zgjatjen e mandatit për Komisionin Hetimor, bie propozimi
Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen e mandatit të Komisionit Hetimor parlamentar për sterilizimin dhe check-up në shëndetësi.
Kërkesa nuk u pranua nga përfaqesuesit e mazhorancës në konferencën e kryetarëve.
Në kërkesen e opozites thuhet se nëse Komisioni nuk e zgjat veprimtarinë e tij, nuk ka asnjë afat kohor për të shkruar raportin i cili fillon hartimin pas pyetjes së të gjithë dëshmitarëve që në rastin më të mirë kërkon 10-14 ditë, si dhe paraqitja e raportit për miratim në Komision.
VIDEO/ Dita e dytë jashtë burgut, Ilir Beqaj mbërrin në kryesinë e Kuvendit me pranga në duar
Ilir Beqaj ka shkuar sot për të dytën herë në komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi duke lënë kështu për të dytën ditë radhazi qelinë e paraburgimit ku po mbahet nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte “SASPAC”.
Dje dëshmia e tij nuk u bë e mundur për shkak se palët u morën më shumë me çështje proceduriale dhe një kërkesë e tij për të bërë prezantim me video dhe foto, u bë temë debate për thuajse 9 orë.
Ashtu si në ditën e djeshme, Beqaj shoqërohet nga dy efektivë policie dhe gjatë momentit të daljes nga furgoni i policisë, shihet teksa ka mbuluar prangat me xhaketë. Versus.al
Dokumenti/ Opozita kërkon që Rama dhe sipërmarrësja Vilma Nushi të dëshmojnë sot te Sterilizimi
Anëtarët e opozitës në komisionin hetimor për Sterilizimin kanë paraqitur dokumentin ku kërkojnë që ditën e sotme të dëshmojë edhe kryeministri Edi Rama në cilësinë e kreut të ekzekutivit që ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të këtij shërbimi.
Sipas dokumentit, kërkohet që të thirret si dëshmitare edhe sipërmarrësja Vilma Nushi në cilësinë e pronares së një prej kompanive që është pjesë e një prej koncesioneve. Sipas deputetëve të opozitës, Vilma Nushi është përfituese direkte e 1.5 mln eurove nga dividenti.
"Refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë Komision, për të thirrur si dëshmitarë z. Edi Rama dhe zonjën Vilma Nushi, për anëtarët e opozitës, është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi”- thuhet në dokument.
Deputetët demokratë, kanë akuzuar vazhdimisht kolegët e tyre të mazhorancës se po përpiqen të mbrojnë sipërmarrësen Vilma Nushi duke mos lejuar paraqitjen e saj në komision për t’u marrë në pyetje. Versus.al
Rreth 9 orë debate për një “power point”, sot Ilir Beqaj del sërish nga burgu për të dëshmuar te 'Sterilizimi'
Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi atë të “Sterilizimit’ dhe “Check Up”-it mblidhet sot për të dytën ditë radhazi ku sërish do të tentohet marrja në pyetje e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ky i fundit u shoqërua dje nga qelia e paraburgimit ku mbahej prej muajsh dhe qëndroi për rreth 7 orë e gjysmë në ambientet e sallës së komisionit dhe të kryesisë së Kuvendit. Komisioni kishte nisur mbledhjen më herët se Beqaj të paraqitej, por pavarësisht kësaj, kur ish-ministri u ul për të dhënë dëshminë, gjithçka u vërtit rreth një prej kërkesave të tij, që ishte plani për ta prezantuar me “power point” atë çfarë donte të shpjegonte.
Kryetarja e komisionit Albana Vokshi tha se ligji parashikon vetëm një deklaratë të kontestualizuar dhe jo paraqitje me video dhe foto siç Beqaj pretendonte. Kaq mjaftoi për të ndezur debate të ashpra me deputetët e mazhorancës të cilët nuk pranuan që mbledhja të vijonte normalisht me pyetjen e Beqajt, duke pretenduar se atij po i shkelej një e drejtë kushtetuese.
Përveç përplasjeve mes deputetëve, mbledhja e djeshme e komisionit nuk prodhoi asnjë informacion të vlefshëm që shpjegonte rolin e Beqajt në koncesionin për të cilin SPAK i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Për shkak të mungesës së disa prej dëshmitarëve, kryesisht atyre italianë që kanë refuzuar të paraqiten me arsyetimin se kanë angazhime personale, demokratët kanë propozuar që afati i komisionit i përcaktuar për të përfunduar të nesërmen, pra ditën e enjte, të shtyhet sërish. Një gjë e tillë është refuzuar nga socialistët të cilët thanë se tashmë komisioni është shtyrë dy herë dhe një shtyrje e tretë nuk do të ishte serioze. Versus.al